e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Nga Buskets te Markizio, lojtarët e nënvlerësuar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga Buskets te Markizio, lojtarët e nënvlerësuar

Futbolli është shpesh herë i padrejtë dhe jo vetëm për ngjarjet që ndodhin në fushë. Ai shpeshherë është i padrejtë edhe me vlerësimet e futbollistëve që janë pjesë e tij.rakitic busketsNatyrisht që për një sulmues që shënon një dopietë në një derbi apo në një finale është e lehtë që ai të marrë faqen e parë. Mjafton të quhesh edhe thjesht Mesi, Ronaldo, Pogba apo Ozil për të fituar kopertinat, por ndërkohë në fushat e Europës ka shumë prej atyre lojtarëve që kanë një impakt të fortë në lojën më të bukur të botës, por ndërkohë qëndrojnë gjithmonë në hije në syrin e mediave, duke qenë se ata nuk kanë një emër të madh, ndonëse puna e tyre është mbresëlënëse.

Prandaj, e përditshmja angleze "Mirror" ka ofruar një listë me disa prej futbollistëve më të nënvlerësuar së fundmi, duke ofruar emra që vërtet meritojnë më shumë vëmendje.

Oliver Zhirud

Është deciziv javë pas jave, por vazhdon të qëndrojë në hije. Fundja, futbolli është një lojë skuadre dhe ai di ta bëjë mjaft mirë këtë, duke qenë efikas, kur shënon dhe jo. Oliver Zhirud është nga ata lojtarë që nuk ka kërkuar dhe pranuar kurrë që të krahasohet me bomberat e mëdhenj të botës. I ka kushtuar vetëm 15 milionë euro Arsenalit, por mjafton të shohësh shifrat e tij të grumbulluara në këto vite, për të theksuar se ai është realisht një nga lojtarët më të nënvlerësuar të kontinentit.

Serxho Buskets

Sivjet mungoi në listën e 23 kandidatëve për "Topin e Artë", ndërkohë që 6 prej shokëve të tij të skuadrës ishin prezent. Ndoshta ai nuk ka në këmbët e tij "magjinë" e të bërit "tiki-taka", por ndërkohë Serxho Buskets është nga ata futbollistë që bën shumë më shumë detyra në fushë: vrapon në çdo cep të fushës, ofron stabilitet, luan gjithmonë me të njëjtin intensitet. Dhe të mendosh se te Barcelona kanë stërvitur trajnerë si Pep Guardiola dhe tashmë Luis Enrike, kanë fituar të gjithë trofe dhe për të dy ata, qoftë edhe për Visente Del Bosken te Spanja, Serxho Buskets është shtylla nga ku trajnerët kanë ndërtuar boshtin e skuadrës. E vërteta është që spanjolli është rrethuar ndër vite nga disa "hajdutë" të famës së tij, lojtarë me emra të mëdhenj si Henri, Vila, Mesi, Eto, Suarez e Nejmar, të cilët kanë lënë në hije. Jo më kot Del Boske vetëm për të është zhbalancuar në elozhe: "Nëse fokusoheni te ndeshja, nuk do ta vini re Busketsin, por nëse fokusoheni te Busketsi, do të kuptoni të gjithë ndeshjen".

Adrian Mariapa

Një sprinter që djeg çdo kundërshtar me shpejtësinë e tij, shumë i fortë në lojën në ajër, edhe pse jo me një gjatë- si mbresëlënëse (178 centimetra), i kudondodhur në fushë dhe me shumë eksperiencë, këto janë cilësitë e mbrojtësit të Kristal Palasit, Adrian Mariapa. Xhamajkani 29- vjeçar është jo vetëm një lojtar i nënvlerësuar, por edhe një burrë që duhet të shërbejë si shembull edhe jashtë fushës. Sepse kur një shok i kombëtares së tij, Troi Denej, u arrestua në një hotel në vitin 2012, ishte Mariapa, i cili vendosi të ndihmojë jo vetëm ekonomikisht, por edhe të paguajë të gjitha borxhet prej 14 mijë eurosh që ai i kishte lënë bashkëshortes dhe djalit të saj të vogël. Prandaj, në futboll nuk duhen vetëm cilësi brenda fushë, por sidomos ato jashtë fushe, duke parë që sot shumë prej yjeve më të njohur se Mariapa bëjnë bujë duke u fotografuar të dehur dhe me sjellje depresive.

Maksuell

Ka luajtur për Ajaksin, Interin, Barcelonën dhe PSGnë. Ka fituar 11 tituj kampionë, shumë kupa kombëtare dhe një Champions, por sërish ka njerëz që besojnë se ai nuk është ende një lojtar i klasit botëror. Braziliani ka qenë një nga ata heronj që nuk janë ngritur në piedestal në sukseset e fundit të PSG-së. Inteligjent me topin, efikas në sulm, luan si në korsinë e majtë dhe të djathtë, përveçse një goditës i mirë i goditjeve standarde. Por, nëse bota e nënvlerëson, elozhin më të madh ia ka bërë Zlatan Ibrahimoviçi, ai që është vetëpagëzuar si "Zoti i futbollit": "Maksuell është shoku i skuadrës më i mirë në botë". Dhe kur vetë "Zoti" të përkëdhel... Diego Godin Mjafton të shohësh staturën dhe energjinë që ai të vë në fushë për të nënvizuar se Godin është një nga qendërmbrojtësit klasikë të epokës së vjetër, ndër ata lojtarë që në futbollin modern gjenden me pikatore, për të mos thënë që kanë humbur. Gjiganti i Atletikos së Madridit mund të shahet për faktin se ka një prerje flokësh totalisht jashtë mode, por ndërkohë të gjitha klubet e mëdha të botës ëndërrojnë ta kenë në formacionin e tyre, aq sa vjet Reali i Madridit ofroi Luka Modriçin për të pasur uruguaianin Godin në "Santiago Bernabeu".

Klaudio Markizio

Në 10-15 vitet e fundit, Juventusi ka qenë i bekuar nga fati, duke pasur përpara mbrojtjes mesfushorë organizativë si Zinedin Zidan, Pavel Nedved, Andrea Pirlo, Arturo Vidal e tashmë edhe Pol Pogba. Por ai është pjesë e Juventusit që në moshën 7-vjeçare dhe shenjtërimi i tij si lider i heshtur i bardhezinjve nisi në kampionatin 2006-2007, me "Zonjën e Vjetër" në Serinë B, një sezon i cili do të transformonte Klaudio Markizion në "Tardelin e ri", një shkatërrues që duke studiuar përkrah "profesor" Pirlos diti të shndërrohet edhe në një ndërtues. Jo më kot, ai ka trashëguar te Juventusi dhe në Kombëtaren e Italisë rolin organizativ të Andreas, përpara mbrojtjes.

Xhon Uollters

Ky është lojtari më i nënvlerësuar në skuadrën më të nënvlerësuar të Premier Ligës, Stok Siti, por që të dy meritojnë elozhet dhe përuljen e të gjithë anglezëve. Ndoshta nuk është Lionel Mesi, as Andres Iniesta, por në skuadrën e tij ai është po aq i rëndësishëm sa edhe këta të dy në repartin ofensiv të Barcelonës. Ndoshta nuk është një bukurosh dhe modern si Arnautoviç, i veshur me pantallona me shtrat të shkurtër dhe me varëse rreperësh, por Uollters është më i dashur se ata në radhët e tifozeve femra dhe mbi të gjitha më i vlerësuari nga trajneri Hjuxhs dhe kaq mund t'i mjaftojë një sulmuesi serioz dhe punëtor si Xhon Uollters.

Adrian

"Shumë thonë se pozicioni më i nënvlerësuar në futboll është ai i portierit, por të gjithë gabojnë". Mjaftojnë kaq pak fjalë për të kuptuar se një person që i thotë nuk duhet nënvlerësuar. Madje, Arsen Vengeri dhe Arsenali i tij e kuptuan fare mirë se një si Adrian meriton shumë më shumë, duke qenë se portieri i Uest Hemit është jo vetëm një mbrojtës ekstrem shumë i zoti, por edhe një pikë referimi në lojën e anglezëve, duke qenë se ai është tepër i shpejtë në mendim dhe shumë elegant me këmbë. Prandaj, të gjithë bëjnë mirë që të nisin ta studiojnë dhe ta vëzhgojnë me vlerësim Adrianin.

Përgatiti: JETON STAMOLLA