Ne fillim Superkupen, pastaj kroatet e Dinamos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Për Sabien Lilajn, ndeshja me Dinamon është sfida me të kaluarën e tij. Lojtari i mesfushës korçare flet për dy ndeshjet e radhës së korçarëve. “Të them të drejtën deri në fund do të jemi në festë, pasi edhe nëse nuk kalojmë më tej, sërish ne do të jemi pjesë e grupeve të Europa League. Gjithsesi, “oreksi vjen duke ngrënë” dhe asgjë nuk ka mbaruar. Të jemi me “këmbë në tokë” dhe do ta provojmë pse jo të shkojmë atje, në grupet e Ligës së Kampionëve. Mundësitë i kemi”, është shprehur ai në një prononcim për “Shekullin”.
“E falënderoj vërtet shumë për vlerësimin që ka dhënë për mua De Biazi. Nuk kam koment për atë që ka thënë, pasi komentet i ka bërë vetë trajneri i kuqezinjve. Pjesë e kombëtares? Asaj nuk i dihet. Unë do bëj punën time për të punuar dhe për të qenë në formë. Do t’i shfrytëzoj ndeshjet Europiane sa më mirë dhe më pas e di De Biazi do të jem apo jo me kombëtaren. Trajneri Josa në fakt po i mëshon më shumë Superkupës. Edhe pse nuk e dimë akoma kush do të luajë apo jo, për mua dhe për ekipin e ka radhën Laçi dhe do vazhdojmë të mendojmë së pari për këtë ndeshje të së mërkurës. Gjithmonë një trofe ngre moralin e skuadrës.
Do të futemi në fushë 100% për ta fituar këtë ndeshje, sepse në fund të fundit nuk jemi future asnjëherë për të humbur. Në qoftë se trajneri mendon për rezervat është e drejtë. Por, përderisa Josa nuk e ka bërë akoma formacionin, janë punët e trajnerit se kë do të aktivizojë ndaj Laçit. Normalisht për ta fituar këtë ndeshje do të luajmë, nuk ka alternativë tjetër.
Një 90 minutësh është në fund të fundit. Ekipi kurbinas gjithmonë është një skuadër e vështirë për t’u mundur, pasi mbrohet mjaft mirë dhe janë të shpejtë në kundërsulm. Por, unë mendoj se do ja dalim. Sa për Champions, ekipi ka qenë duke punuar edhe më parë se të vinte kjo ditë. Na ngelet vetëm për të studiuar Dinamon e Zagrebit, pasi përgatitjen e kemi të mjaftueshme.
Në këtë tur ku jemi të gjitha skuadrat janë të vështira. Duke parë që përballë do të kemi Dinamon, nuk është aspak ekip i lehtë dhe këtë e them me bindje. Përpara se të vija te Skënderbeu përpara tre sezonesh kam qenë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, skuadrës së dytë të Dinamos, siç e quanin atje. Ndjej vërtet emocione që do të rikthehem të luaj edhe njëherë atje, pas kaq vitesh, por dua t’u them se gjysma e lojtarëve që kanë luajtur me mua te Lokomotiva vite më parë, sot janë pjesë e Dinamos së Zagrebit. Mund t’u përmend emra të tillë si, Ademi, Pjaca, Antoniv, Tivaric etj.
Tani do të kërkoj t’i mund ish-shokët e mi. Në qoftë se do të kënaqeshim me atë që kemi arritur deri tani kot që të mendonim për Dinamon e Zagrebit dhe më mirë të mos udhëtonim për në Kroaci në ndeshjen e kthimit. Ne jemi të lumtur që jemi në grupet e Europa League, por do të jemi më shumë se të lumtur dhe krenarë nëse do të shkojmë në grupet e Ligës së Kampioneve. Shifra të tilla 500 1 milion euro na ngrenë edhe më shumë moralin dhe këtë e pranoj, por nuk është gjithçka paraja.
Të vazhdojmë të shkruajmë së pari historinë e madhe në Europë, pastaj “ishallah” këto para shtohen edhe më shumë në grupet e Ligës së Kampioneve, por në Elbasan ju garantoj që do të kërkojmë të marrim më të mirën. Plazhi? e kishim si pjesë e rikuperimit pas asaj lodhjeje që patëm në ndeshjen e dytë ndaj Milsamit. Qysh sot (dje) na u ndalua, vetëm dy ditë bëmë plazh për të rikuperuar siç u thashë energjitë. Tani le të mendojmë për Laçin dhe më pas Championsin. Më bëhet qejfi që do të rikthehem në Zagreb. Kam shumë miq e shokë atje dhe do të jem si në shtëpinë time, pavarësisht se isha vetëm një vit atje”, ka mbyllur Sabien Lilaj.