Ne Brazil gjejne fajtorin, gati largimi i 'Felipaos'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luiz Felipe Skolari është kthyer brenda ditës nga një hero, në armikun e futbollit brazilian, pasi për shumëkënd, zgjedhjet e tij janë ato që sollën paraqitjen shkatërrimtare të Brazilit ndaj Gjermanisë. Fillimisht tifozët, e më pas edhe mediat braziliane, kanë sulmuar ashpër “Felipaon”, duke vënë në dyshim të gjitha zgjedhjet që ka bërë ai për ekipin, ashtu si edhe metodologjinë e përgatitjeve për aktivitetin.
Në media, nëpërmjet burimeve brenda grupit të lojtarëve, është komentuar se edhe këta të fundit ishin shumë të pakënaqur, për faktin se Skolari ka zhvilluar në total vetëm 5-6 seanca stërvitore të karakterit taktik, duke e injoruar plotësisht këtë aspekt të përgatitjes së ndeshjes. Fakti se pas fazës në grupe, ekipi ka bërë më shumë ditë pushime sesa ditë stërvitje, cilësohet si neglizhencë e plotë e Skolarit në përgatitje, me shpresën se mbështetja e publikut dhe aftësitë individuale do të zgjidhnin situatën në favor të kombëtares së tij, plan që dështoi pas dëmtimit të Neimar. Njëkohësisht, është cilësuar krejtësisht e pavend ideja e trajnerit për të bërë stërvitje të hapura taktike vetëm “për të shpërqendruar kundërshtarin”, siç e pranoi ai vetë qëllimin e seancës së fundit para ndeshjes me Gjermaninë.
Para fillimit të Botërorit, Skolari u ul në tavolinën e bisedimeve me presidentin aktual të Federatës Braziliane (CBF), Zhoze Marin, dhe atë që do të marrë drejtimin e kësaj CBF nga viti 2015, Marko Del Nerto. Në atë mbledhje, palët ishin parimisht dakord për vazhdimësinë e punës “pavarësisht rezultatit të mundshëm” dhe se do të uleshin përsëri për diskutime pas përfundimit të Botërorit. Por tani duket se Federata ka ndërruar mendje dhe po kërkon të largojë sa më parë teknikun, emri i të cilit do të jetë i lidhur gjithmonë me këtë disfatë të pabesueshme. Delfim Peiksoto, personazh që nga viti i ardhshëm do të mbajë postin e zëvendëspresidentit të CBF, ka dalë hapur rreth kësaj teme. “Skolari ishte shumë kryeneç, që nga grumbullimet e deri te skema e zgjedhur, gjithçka ishte gabim. Nuk kam më dëshirë as të flas për të. Por një gjë ju siguroj, ai nuk do të jetë më kurrë pjesë e kombëtares. Kurrë! Nuk do të kthehet më! Ky ishte një turp. Mendoj se Skolari duhet të japë dorëheqjen, sepse për të nuk do të ketë vend në asnjë skuadër braziliane. Nuk ka nevojë për para, duhet të marrë gjerat e tij dhe të largohet”, tha Peiksoto.
Por vetë trajneri, në një konferencë për shtyp të zhvilluar dje, ka saktësuar se nuk po e mendon hipotezën e dorëheqjes pa folur më parë me bordin drejtues, pasi e ka cilësuar si pozitive eksperiencën e tij me këtë kombëtare. “Pas Kupës së Konfederatave, pësuam vetëm një humbje dhe 9 fitore, kishim një ekip të përgatitur, një sistem loje. Ishte hera e parë që nga viti 2002 që shkuam deri në gjysmëfinale. Ishte një humbje e rëndë, gjashtë minuta të një kolapsi total. Nëse do të mundja, do të përgjigjesha për atë që ndodhi në ato gjashtë minuta, por nuk di çfarë t’ju them, nuk e di çfarë ndodhi në ato minuta”, tha Skolari. “Këta lojtarë do të kthehen përsëri më të mirët e botës, pasi rreth 70% e tyre do të jenë pjesë e Botërorit 2018. Por duhen ndryshuar disa gjëra, sepse kundërshtarët ishin më të përgatitur sesa e mendonim ne, u shfaq një nivel shumë më i lartë futbolli”, tha Skolari para mediave.