e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ndaj Vllaznisë/ Ramadani: Kush sbeson, të rrijë në shtëpi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndaj Vllaznisë/ Ramadani: Kush sbeson, të rrijë në shtëpi

Zekerija Ramadani i druhet vetëm euforisë në përballjen me Vllazninë. Në analizën e djeshme, trajneri u ka thënë lojtarëve që të tregohen profesionistë në fushë.

ramadani curriMadje, trajneri ka thënë se ndonjë lojtar që nuk ka vetëbesim, le të rrijë në shtëpi dhe të mos aktivizohet në këtë takim.

"Nuk dua eufori me Vllazninë. Ta lëmë pas ndeshjen me Tiranën, nuk kemi arritur asgjë edhe pse u kualifikuam për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të mendojmë për Vllazninë. Këtu është edhe merita e futbollistit, që është profesionist 24 orë.

Duke qenë i tillë, largon euforinë, si dhe nga dita e martë duhet të mendosh për ekipin që do luash në fundjavë, për kundërshtarin që do kesh përballë, pra, ti e di se ku je. Në këto kushte ditën e ndeshjes do ta kesh më të lehtë.

Prandaj ne duhet të punojmë për këtë dhe të rrisim nivelin e profesionalizmit. Nuk është profesionalizmi vetëm në fushë, por është në 24 orë, ku ne duhet të mendojmë për futbollin. Duhet të mendoni për programin që keni përpara, duhet të mendoni se si luan kundërshtari. Ne ju japim informacione, por kur informohesh vetë, është më mirë. Duhet të jeni të motivuar në çdo kohë.

Ai që nuk ka vetëbesim në vetvete për ndeshjen e radhës që ne luajmë, le të rrijë në shtëpi. Nuk ka problem, as nuk ju marr inat, nuk ka asgjë të keqe. Do të luani në ndeshjen që vjen, vetëm më thoni 'trajner unë nuk jam gati për këtë ndeshje'", u ka thënë Ramadani lojtarëve.

Këshillat teknike

Trajneri Zekerija Ramadani u ka folur lojtarëve edhe nga ana teknike.

"Po luajmë me topa të gjatë si anglezët. Jo, nuk duhet të luajmë kështu. Nuk na përshtatet ne ky mentalitet loje. Ne nuk jemi anglezë, ne jemi shqiptarë dhe duhet t'i përshtatemi lojës sonë. Duhet një ekip sulmues, por edhe mbrojtës. Dua tri pikë në çdo ndeshje. Filozofia jonë duhet të jetë që të fitojmë çdo takim, por nëse nuk e fitoni dot, të paktën mos e humbisni. Kemi konkurrencë në ekip dhe kjo është gjë shumë e mirë.

Ndaj Vllaznisë nuk dua të shikoj në fushë vazhdimin e ndeshjeve që kemi bërë deri tani në kampionat. Duhet ta harrojmë ndeshjen me Laçin. Nëse do të kemi atë vazhdimësi, do të kemi pasoja në fushë në ndeshjen me Vllazninë", vijoi tekniku.

Kundërshtari

Ramadani u ka folur lojtarëve edhe për kundërshtarin.

"Me Vllazninë nuk kemi shumë diferencë në pikë dhe do të jetë një ndeshje e luftuar edhe nga ana e tyre. Duhet t'i vlerësojmë maksimalisht dhe t'i respektojmë në fushë. Vllaznia ka ndryshuar dhe është një ekip që ka bërë mirë në ndeshjet e fundit dhe që po tregohet agresive.

Ne arritëm t'i shënojmë gol Partizanit, kur dihet që të kuqtë kanë mbrojtje të mirë. Nëse ne shënojmë të parët, atëherë lojën do ta kemi në favorin tonë", u ka thënë trajneri lojtarëve.

Përgatiti: ERMAL SIKA