Çela: Shënojmë shpejt dhe likuidojmë ballshiotët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
"T'i shënojmë sa më shpejt kundërshtarit. Minutat janë 'të arta' në një përballje futbolli, ndaj ne kemi marrë të gjitha masat për të zhbllokuar sa më parë këtë takim.
Skuadra u shfaq konkurruese në sfidën e fundit në kampionat ndaj Flamurtarit, dhe me këtë mendësi do të hidhemi nesër (sot) në fushë", u shpreh dje pas seancës së fundit stërvitore mbrojtësi Emiljano Çela.
Në fakt, mbrojtësi u druhet disi mallakastriotëve, ndërsa më pas Çela deklaron:
"Ata s'kanë asgjë për të humbur dhe në Laç do të vijnë për të synuar pikë. I pashë gjatë ndeshjes që luajtën me Tiranën, dhe të them të drejtën, rrezikuan shpesh të kalonin përpara. Gjithsesi, në këtë pikë të garës nuk ka kohë për konstatime, sepse ajo që ka rëndësi për ne është rikuperimi i pikëve. Prandaj kundër Bylisit, detyra jonë e vetme është marrja e tri pikëve".
Emiljano Çela hyri në historinë e klubit bardhezi në finalen e Kupës së Shqipërisë, në maj të 2013-s,ku pikërisht ndaj Bylisit, ai arriti të shënonte golin e trofeut. Laçianët dje u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Bylisin, por ende mbeten disa dilema për përcaktimin e formacionit për këtë takim nga ana e trajnerit Nica. I pyetur për formacionin antiBylis dhe se kush e ka të sigurt vendin, Çela tha:
"Nuk di të vendos piketa. Profesori ka alternuar gjatë këtyre ditëve disa opsione, duke na mbajtur të karikuar të gjithëve. Natyrisht që baza mendoj se do të jetë ajo e javës së fundit, por te Laçi ndodhen disa lojtarë që po bëjnë gjithçka për të qenë në vëmendje të stafit teknik". Sikurse ka deklaruar presidenti i klubit, sot hyrja në stadiumin e Laçit do të jetë e lirë. Pritet që numri i mbështetësve të skuadrës kurbinase të jetë relativisht më i madh.
Përgatiti: Isuf Myrtaj