e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

NOTAT/ Inter Juventus 3-0

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
NOTAT/ Inter  Juventus 3-0

JUVENTUS

juventusNETO 6 - Gabon në rastin e golit të Brazoviçit, duke qenë se pason te Hernanesi që gjendej në një situatë shumë të rrezikshme dhe braziliani e humb. Por në minutat e fundit, me një pritje spektakolare, bën një pritje ndaj Perisiçit që shmangu eliminimin e Juventusit.

LIHSHTAJNER 5.5 - Interi sulmon korsinë e tij, sepse e kupton që zvicerani po vuan dhe Perisiç përfiton në rastin e golit të tij. Nga minuta e 56-të zbret në fushë Barzalji (nota 6), i cili nuk bën asnjë gabim, por vendos aq sa të mundë rregull në prapavijë.

RUGANI 4.5 - Mungon eksperienca dhe duket, sepse në pjesën e parë, me një pasim horizontal të gabuar, rrezikon që Juventusi të pësojë golin e dytë, por mbi të gjitha shkakton atë penallti që fut në telashe Juventusin. Tani me vrap në "shkollë" për të studiuar.

BONUÇI 6 - Edhe pse jo në natën e tij më të mirë, si gjithmonë tregon karakter në fushë dhe si një lider i vërtetë godet saktë dhe pa emocione penalltinë e fundit që dërgon Juventusin në finale.

ALEKS SANDRO 6 - Një nga të paktat nota pozitive të Juventusit. Pozitiv në mbrojtje dhe në sulm. Meriton më shumë hapësirë.

KUADRADO 5 - Mban më shumë seç duhet topin duke tentuar driblime disa herë të kota, diçka që ia lehtësoi Interit rikuperimin e shumë topave.

STURARO 5.5 - Për asnjë moment nuk tregon se busulla e lojës së tij tregon drejtimin e duhur. Gjithsesi, kur është nevoja për të luftuar me muskuj, ai nuk mungon kurrë, ndonëse u pa shpesh në vështirësi.

HERNANES 5.5 - Ka në ndërgjegjen e tij golin e parë të Brozoviçit, por pjesa tjetër e lojës kaloi me nota pozitive. Në të 71-ën u zëvendësua nga Lemina (nota 5.5), me mesfushorin që ofron grintë, por ndonjëherë ndoshta më shumë seç duhet, duke parë ndërhyrjet e tij të dhunshme, të cilat e dërgojnë deri në limitet e kartonit të kuq.

AZAMOAH 5.5 - Edhe Kuaduo shqetësohet më shumë për fazën difensive, ndërsa detyrat i kishte për të shtyrë drejt sulmit. Në të 86- ën zëvendësohet nga Pogba (nota 6), me francezin, i cili i jep menjëherë rregull dhe shkëlqim lojës së Juventusit. Alegri duhet ta kishte hedhur më shpejt në fushë.

ZAZA 6 - Më luftaraku dhe kërkuesi nga të tijtë. Godet një shtyllë në fillim të pjesës së dytë, por i afrohet rastit edhe në minutat që kalojnë.

MORATA 6 - Vrapon shumë, tenton të bëjë gjithmonë presion në linjën e mbrojtjes kundërshtare dhe sakrifikohet. Në minutën e 120-të ka një dopio rast në këmbët e tij, por Karrizo tregohet më i zoti se spanjolli me pritjen e bërë.

TRAJNERI MASIMILIANO ALEGRI 5 - E shpëton kualifikimi, sepse rrotacioni këtë herë ishte më masiv. Gabon në formacion, por edhe në zëvendësime ndoshta, sepse më shumë sesa Lemina nevojitej Dibala dhe Pogba duhej të zbriste më shpejt në fushë. Gjithsesi, fati ishte nga ana e tij dhe e Juventusit mbrëmë.

INTER

KARRIZO 6 - Shpëton të tijtë në sekondat e fundit të pjesës së dytë të kohës shtesë, pas një dopio tentative të Moratës. Por gjatë pjesës tjetër të takimit ka pak punë për të bërë.

SANTON 6.5 - Nuk ndalon kurrë, sepse vrapon edhe atëherë kur duket se nuk mund t'ia dalë më. Stoik, qëndron në fushë pavarësisht dhimbjeve muskulore, duke i dhënë më shumë pika pozitive paraqitjes së tij.

D'AMBROZIO 6 - Në pjesën e parë administron pa probleme zonën e tij, por në pjesën e dytë has në disa probleme të mëdha në frenimin e Zazas. Fatmirësisht juventini nuk ka korrigjuar shënjestrën, sepse do D'Ambrozios do i duhej të mbante në ndërgjegje një tjetër barrë të madhe, pas gabimit flagrant në kampionat.

ZHEZUS 6.5 - Ndalon çdo top që kalon përpara tij, duke i mbyllur thuajse çdo hapësirë Juventusit. Nuk gabon praktikisht asgjë.

NAGATOMO 6 - Shtyn shumë, duke krijuar një aks të rrezikshëm me Perisiçin, i cili jo vetëm rrezikon Juventusin, por garantoi edhe shumë ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese.

BROZOVIÇ 7.5 - Regjisori i mesfushës zikaltër, vendos ritmin e lojës dhe vrapon sa për dy. Hap valsin e golave me një goditje jo të pakapshme, por vulos penalltinë që dërgon në shtesë ndeshjen. Tregohet i saktë edhe nga lotaria e 11 metrave finale.

MEDEL 7 - Një punëtor i palodhur. Ndërton një digë në mesfushë dhe lufton në çdo top, duke fituar shumicën e dueleve.

KONDOGBIA 6 - E nis mirë, duke i ofruar peshë mesfushës. Tregohet i saktë me topin dhe shpërndarjen e lojës, por fati nuk është me të edhe kur luan mirë, sepse një dëmtim e dërgon direkt në spital. Me fillimin e pjesës së dytë zëvendësohet nga Biabiani (nota 6), shpejtë- sia e të cilit vë gjithmonë në vështirësi Juventusin.

PERISIÇ 7.5 - Për 120 minuta, të gjithë arritën të shohin Ivanin e vërtetë, atë të paguar me të drejtë 20 milionë euro, atë që me ndërrimin e hapit në shpejtësi e sipër mund të digjte çdo mbrojtës në Europë dhe jo më Ruganin, të cilit i shndërrohet në një makth, pasi i shënon dhe e detyron te penalltia.

EDER 6.5 - Kilometra pa fund në sulm, ka gjithmonë një opsion rezervë për mesfushorët. Shërben asistin për golin e Perisiçit.

MANAJ 6 - Zëvendëson Ederin në minutën e 113-të. Edhe pse pak minuta në fushë, ai tregon personalitet, si në rastin e penalltisë së goditur saktësisht në rrjetë.

LJAJIÇ 6,5 - Shumë i zhdërvjellët në minutat e para, ku godet edhe një traversë që mund të kishte dyfishuar shifrat shumë shpejt për Interin, përveçse krijoi disa raste të tjera për gol. Në minutën e 75-të i lë vendin Palasios (nota 5.5), me argjentinasin që si gjithmonë jep shpirtin për skuadrën, por gabimi i tij nga pika e penalltisë e detyron Interin të eliminohet.

TRAJNERI ROBERTO MANÇINI 7 - T'i japësh jetë brenda tri ditëve një skuadre që të dielën dukej e vdekur, natyrisht që Mançini duhet të ketë bërë ndonjë magji. Por shpresojmë që kjo të zgjasë, sepse nëse Interi luan siç bëri dje, atëherë vendi i tretë nuk është një mision i pamundur.