e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

NDËSHKIMI/ Flamurtari merr masa, një rrogë gjobë lojtarëve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
NDËSHKIMI/ Flamurtari merr masa, një rrogë gjobë lojtarëve

Sinan Idrizi "shkund" ekipin përpara dy ndeshjeve që vendosin sezonin, atë ndaj Teutës në kampionat dhe Kukësit në Kupë.

flamurtari"Panorama Sport" zbulon se gjatë një bisede që ka zhvilluar në linjë telefonike me kapitenin Bruno Telushi, si dhe me disa senatorë të tjerë, administratori u ka kërkuar që të bëjnë vetëm detyrën që kanë dhe për të cilën paguhen.

E ndërsa nuk ka vendosur objektiva konkretë, Idrizi ka qenë i qartë në mesazhin e tij. Por, kjo telefonatë ka pasur si motiv që t'i "zgjojë nga gjumi".

idrizi-dushkuDuke qenë se për arsye pune gjendet në Turqi dhe nuk ka mundur të jetë në mbledhje me ekipin, administratori i klubit ka zgjedhur të komunikojë përmes telefonit. "Ajo që unë do të kërkoja, është shumë e qartë dhe e prerë.

Vazhdoni punën tuaj. Nuk kam çfarë t'ju them, ju e dini vetë detyrën tuaj dhe se çfarë duhet të bëni në vazhdim. Sinqerisht, më kanë mbaruar fjalët", mësohet se u ka thënë Idrizi lojtarëve.

Futbollistët

Gjatë kësaj bisede, kapiteni Bruno Telushi i ka thënë administratorit Idrizi se lojtarët janë të angazhuar për të bërë kthesën dhe i ka kërkuar njëkohësisht falje në emër të skuadrës për paraqitjet e deritanishme. "E dimë që jeni i zhgënjyer nga ne.

Them se situata është kapërcyer dhe premtojmë se do të japim maksimumin tonë në periudhën e mbetur si në kampionat, edhe në Kupë", u shpreh Telushi.

Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe disa lojtarë të tjerë të telefonuar nga Idrizi, ndërsa kanë marrë përsipër përgjegjësinë e tyre për këtë situatë, duke shfaqur turpërimin para administratorit, fakt që edhe ia kanë komunikuar drejtpërdrejt.

Gjobat

Për paraqitje të dobët në ndeshjet e fundit do të ketë edhe ndëshkime me gjoba. Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije për "Panorama Sport" se lojtarëve do t'u mbahet një pagë e plotë. Klubi ka dhënë tri paga paradhënie.

Futbollistët janë paguar për janarin, shkurtin dhe marsin, ndërsa mendohet që paga pasardhëse, pra ajo e prillit, të mbahet në formë gjobe.

Në këto kushte, në llogaritë e tyre, lojtarët e Flamurtarit do të kenë tashmë një pagë më pak. Nuk dihet ende nëse ky ndëshkim do të jetë vetëm për futbollistët, apo do të prekë edhe stafin teknik.