Bashkia jep 570 milionë lekë shtesë për Vllazninë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bashkia e Shkodrës do të akordojë afro 570 milionë lekë të vjetër për Klubin e Futbollit Vllaznia për vitin 2016. Një shumë jo pak e vogël për skuadrën shkodrane, që shikohet si shtesë për këtë vit futbollistik.
Në këtë fond që bashkia do të akordojë për Klubin e Futbollit Vllaznia, nuk do të jenë të përfshira shuma që do të akordohen nga donatorë të ndryshëm, të cilët mund të afrohen pranë klubit.
Njëkohësisht, këtu nuk përfshihen as të ardhurat që do të vijnë nga menaxhimi i stadiumit të ri "Loro Boriçi", që shikohen si një plus më shumë për Vllazninë e sezonit të ri.
Fitimet e biletave, por edhe të reklamave që do të shpalosen në stadiumin e ri, do të shkojnë në dobi të Klubit të Futbollit Vllaznia.
Në këto kushte, shuma që do të akordojë Bashkia Shkodër për skuadrën, si dhe të ardhurat e tjera alternative, pritet të krijojnë një fond të mjaftueshëm për përballimin me suksesit të sezonit të ri.
Pra duket se po vjen koha që të rikthehet Vllaznia e pretendimeve në futbollin shqiptar. Mësohet se përveç 570 milionë lekëve të vjetër që do të akordohen për klubin e futbollit, drejtuesit e bashkisë kanë programuar edhe një shumë prej 100 milionë lekësh për mirëmbajtjen e stadiumit "Loro Boriçi", pas rikonstruksionit të plotë. Ky fond nuk përfshihet te financat që bashkia ka programuar për mbarëvajtjen e ekipit të futbollit.
Këto dy projekte të Bashkisë Shkodër pritet të miratohen nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e radhës.
Dëmtohet Kalaja
Kur dukej se Vllaznia do të ishte plotë në Korçë, një nga futbollistet më të rëndësishëm, Arlind Kalaja, ka futur në ankth drejtuesit. Gjatë stërvitjes së djeshme, sulmuesi pësoi një dëmtim.
Lojtari që i dha fitoren Vllaznisë në ndeshjen me Bylisin, e la në mes seancën stërvitore të së enjtes. Përpos frikës së momentit, stafi mjekësor i skuadrës bëri të ditur se është një problem i lehtë që nuk duket shqetësues.
Futbollisti pritet të jetë gati për të nesër, por kjo gjë mbetet për t'u shikuar në orët në vazhdim. Nëse rikuperohet Kalaja, si asnjëherë tjetër, trajneri Cungu do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë grupin, përveç Arbrit dhe Gurishtës që janë të dëmtuar.
ADMIR URUÇI