Mustafi: Jam me shqiptar sesa gjerman
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shkodran Mustafi u cilësua si një kandidat serioz për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare, pasi kishte pasur më parë edhe biseda me trajnerin De Biazi, apo kapitenin Lorik Cana. U duk sikur futbollisti i Sampdorias e kishte thjesht çështje kohe aktivizimin me kuqezinjtë, por gjithçka mori një kthesë të papritur, kur Joakim Lëv e ftoi te Gjermania. Vetë 21-vjeçari pranon se ndihet më shumë shqiptar sesa gjerman, por nuk kishte aspak dyshime se cilën skuadër kombëtare futbolli do përfaqësonte. “Kam marrë një telefonatë nga zëvendëstrajneri Hans Flik. Ai më bëri të ditur se më kishin ndjekur dhe se u kisha pëlqyer. Ndaj, më lajmëroi se do më grumbullonin për ndeshjen e ardhshme të kombëtares së Gjermanisë. Sigurisht që u ndjeva shumë i lumtur dhe ia shpreha gatishmërinë time”, – deklaroi Mustafi.
I pyetur mbi mundësinë për të luajtur me Shqipërinë, prej nga janë edhe prindërit e tij, ai tha: “Unë flas pjesën më të madhe të kohës shqip dhe ha ushqime tradicionale shqiptare. Nëse doni të dini, ndihem më tepër shqiptar sesa gjerman. Por, nuk e kam marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë për të luajtur me përfaqësuesen e tyre, para asaj gjermane. Jam rritur, kam mësuar dhe mbi të gjitha i kam hedhur hapat e mi si futbollist pikërisht në Gjermani. Kam luajtur me përfaqësuesen U-21 dhe ftesa nga një skuadër kaq e madhe, me futbollistë kaq cilësorë, sigurisht që më bën të ndihem krenar. Kupa e Botës? Nuk e di nëse do e bind trajnerin Lëv për të më përfshirë në listë, por pa diskutim që do jap maksimumin tim”, – përfundoi mbrojtësi Mustafi.