e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Murinjo: Van Gal trajneri me i mire

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Murinjo: Van Gal trajneri me i mire

Hoze Murinjo nuk ka asnjë dyshim në lidhje me trajnerin më të mirë të finaleve të botërorit. Portugezi e di mirë se sezonin tjetër do të ketë një betejë të fortë në Premier Ligën me Van Galin,dhe nuk e ka aspak problem ta quajë atë si më të mirin. 62-vjeçari arriti t’i siguronte Holandës vendin e tretë pas fitores ndaj Brazilit, madje ata u larguan nga ky botëror pa asnjë humbje.

“Mendoj se ky botëror nxori në pah disa trajnerë të talentuar dhe me intuitë. Halihodziç, Herrera, Sampoli apo Klinsman i treguan mjaft mirë aftësitë me skuadrat respektive duke bërë paraqitje shumë të mira dhe ata meritojnë komplimente.

Duke u nisur nga ajo që kam parë, nuk kam asnjë dyshim se trajneri më i mirë i këtij botërori ishte Van Gal. Ai është mjaft i zgjuar dhe askush nuk e mendonte se Holanda do bënte një paraqitje të tillë”, ka deklaruar Murinjo.

Ai theksoi se 62-vjeçari është shumë i qartë në atë që bën dhe ka aftësinë që t’i përshtatë lojtarët në filozofinë e tij.

“Lojtarët e kanë të qartë që ai është komandanti, dhe janë gati të sakrifikohen për të. Fakti që ka arritur të fitojë kudo, e tregon më së miri profesionalizmin e tij”, ka thënë Murinjo.

Gjithashtu ai ka folur edhe për lojtarin e ri më të spikatur të Kupës së Botës, duke theksuar se Pol Pogba e meriton më së shumti këtë çmim.

“Do të thoja Pogba, pasi ai zhvilloi disa ndeshje të mira, edhe pse Franca nuk arriti të kualifikohej për në gjysmëfinale. Ai është i ri dhe ka mundësi të përmirësohet në të ardhmen”, ka deklaruar trajneri i londinezëve.