Mozlei: Alonso do të vdiste para 20 viteve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-presidenti i FIA-s, Maks Mozleit, beson se aksidenti që pësoi Fernando Alonso të dielën në "Grand Prix"-in e Australisë do të ishte fatale nëse do të ndodhte përpara 20 viteve.
Piloti i McLarenit u përplas me makinën Haas të Esteban Gutierrez, ndërsa garonte me një shpejtësi prej 200 km/h. Makina e tij u përplas me muret rrethuese të cirkuitit të "Albert Park" duke u shkatërruar plotësisht.
Vdekja e Airton Senës në Imola në vitin 1994 detyroi drejtuesit e FIA-s që të rrisnin edhe më tej masat e sigurisë dhe Mozlei pranon se një aksident i tillë përpara shumë viteve do të kishte pasur të njëjtin rezultat tragjik për spanjollin.
Francezi Zhules Bianki humbi jetën tragjikisht në një aksident të ndodhur në Çmimin e Madh të Japonisë në 2014-ën, por këtë herë fundi ka qenë me fat. Mozlei ka përgëzuar ish-drejtuesin e personelit mjekësor të FIA-s, Sid Uotkins.
"Unë nuk mendoj se ai do të kishte mbijetuar. Ndoshta ju nuk do ta dinit me siguri pa një analizë të hollësishme, por në përgjithësi këto lloj aksidentesh kanë rezultuar me dëmtime serioze deri në vdekje. Për fat të mirë, duket se këto po shmangen. Ka ende aksidente të frikshme si rasti i Zhules. Mendoj se nëse ky aksident do të ndodhte 20 vite më parë, do të ishte fatale për Alonson.
Dhe meritë për shmangien e më të keqes ka pa dyshim Sid Uotkins dhe një ekip njerëzish me të vërtetë kompetentë, njëherësh edhe skuderitë respektive. Është e nevojshme të studiohet edhe shkencërisht. Ka një ndryshim të madh pas vdekjes së Airton Senës në Imola në vitin 1994. Është pozitive që Alonso është në këmbë. Kjo ishte një përplasje 'mbresëlënëse'", u shpreh Mozlei.