e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Moxhi: Shqiperia, ne rrugen e duhur

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Moxhi: Shqiperia, ne rrugen e duhur

Ndonëse pasojat e procesit “Calciopoli” e kanë larguar disi nga futbolli aktiv, Luçiano Moxhi mbetet një nga figurat më autoritare të futbollit në Europë. Ndaj një opinion pozitiv i ish-drejtuesit të Juventusit për kombëtaren shqiptare të futbollit dhe elementë të veçantë të saj, të lë të kuptosh se kuqezinjtë e De Biazit janë në rrugën e duhur për të arritur diçka të rëndësishme në rrugëtimin drejt Euro 2016. Në një intervistë të dhënë për gazetën, 77-vjeçari ka zbuluar se ka pranuar ftesën e mikut të tij, Xhovani Firera, ish-Konsull Nderi i Shqipërisë në Torino, për të udhëtuar në fillimin e vitit 2015 drejt Tiranës. Në kryeqytetin shqiptar, ai do të shuajë kuriozitetin e të gjithë futbolldashësve shqiptarë, nëpërmjet librit të tij autobiografik, “Topi është imi”, që do të publikohet nga shtëpia botuese “Saras”.

Jemi këtu me Xhovani Firera dhe Luçiano Moxhi. Flasim për post Itali-Shqipëri. Italia fitoi, por Shqipëria tregoi të gjithë kualitetin e saj, të gjithë përmirësimin që ka bërë. Pastaj kujtojmë 20 mijë tifozët në Xhenova …

Luçiano Moxhi: Mendoj se futbolli në Shqipëri është rritur shumë. Le të themi se kam parë shumë lojtarë shqiptarë, njihja më parë Taren për shembull. Tani është Berisha, portieri i kombëtares, i cili luan te Lacio. Mendoj se ai, në ndeshjen kundër Italisë, tregoi se është një portier shumë i mirë. Pastaj ka edhe lojtarë të tjerë të mirë. Unë për shembull nuk e kuptoj përse në Itali nuk mund të vijë të luajë një sulmues që më duket se quhej Çikalleshi apo një mesfushor si Kukeli. Këta janë lojtarë që në thelb kanë treguar se janë shumë të mirë për të luajtur në kampionatet europiane, ndoshta edhe në lartësinë e ndonjë skuadre të rëndësishme. Nuk më pëlqeu shumë Cana, që luan aktualisht te Lacio, pasi mbrojtja ishte gjithmonë në vështirësi të madhe. Por kam parë këta lojtarë që përmenda më lart, të cilët kanë shumë cilësi. Pastaj është skuadra, e ansambluar mirë nga De Biazi, është më shumë një skuadër, se diçka që bazohet rreth një lojtari të rëndësishëm. Janë të aftë të gjithë, por këta të tre që përmenda më sipër janë më të mirët. Xhenova duhet të falënderojë publikun shqiptar, pasi me 20 mijë persona në stadium, për një ndeshje bamirësie për të përmbyturit në atë qytet, mendoj se ishin më shumë ata nga Tirana sesa italianët. Populli shqiptar veproi mirë duke ardhur në stadium për solidaritet dhe për të parë skuadrën e vet që luante për herë të parë ndaj Italisë.

Xhovani Firera: Shqipëria duket se po hyn me të drejta të plota në Europë edhe nga pikëpamja e futbollit …

Luçiano Moxhi: Nëse më duhet të vlerësoj ndeshjen e ca ditëve më parë, duhet të them se Shqipëria është një skuadër që duhet marrë në konsideratë. Natyrisht, janë lojtarë që duhet të mësojnë ende disa gjëra, por në thelb, mendoj se De Biazi ka bërë një punë të mirë, mbi të gjitha në kokën e lojtarëve, e më pas për impenjimin, pasi në këtë aspekt nuk janë inferiorë ndaj askujt. Pastaj mes tyre ka lojtarë që vihen në evidencë të qartë në krahasim me shokët e tyre të ekipit.

Shqipëria, pas tri ndeshjeve të para, ka katër pikë dhe në ndeshjen tjetër luan në shtëpi kundër Armenisë. Sipas jush, si janë shanset e Shqipërisë për të ecur përpara, për të arritur në Euro 2016?

Luçiano Moxhi: Nuk mund të thuhet se është një grup i lehtë, është një grup ku duhet të fitohet gjithçka. Por e përsëris, me ato karakteristika që ka, me impenjimin dhe aftësitë teknike të disa lojtarëve, mund ta shtyjnë Shqipërinë të paraqitet mirë. Duke parë Shqipërinë ndaj Italisë, u binda përse kjo skuadër është shfaqur mirë në transfertë. Kjo, pasi impenjohet duke ditur se çfarë bën, shfaqet mirë në transfertë pasi ka lojtarë që tregojnë vlerat e tyre në këtë aspekt, por edhe në atë teknik. Ndaj është një kompakt i vendosur mirë në fushë nga trajneri, që nuk ka pika referimi të shkëlqyera, por një skuadër në shërbim të Shqipërisë, e cila nuk mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, por që me siguri është nisur drejt diçkaje të mirë.

Desha të pyes z. Firera, nga vjen interesimi i z. Moxhi për futbollin shqiptar?

Xhovani Firera: Të gjithë e dinë se Luçiano Moxhi ka shkruar një libër, “Il pallone lo porto io” (Topi është imi). I kam bërë propozimin, të pranuar nga ai, që ta prezantojë zyrtarisht edhe në Tiranë. Është përkthyer në shqip, ndaj edhe shqiptarët mund të vlerësojnë atë që është historia e futbollit jo vetëm italian, por edhe ndërkombëtar, të parë nëpërmjet syve të Moxhit. Ndaj uroj që Luçiano të vlerësojë si të gjithë ne atë qytet shumë të bukur, siç është Tirana, dhe një komb të shkëlqyer, siç është Shqipëria.

Luçiano Moxhi: Nuk ka dyshime, do të ecim para me diçka që mund të jetë e rëndësishme për futbollin shqiptar. Ky libër është një përmbledhje episodesh të një karriere 30-vjeçare, ku sfilojnë lojtarët e rëndësishëm si Maradona, nën urdhrat e mi në periudhën kur isha te Napoli, apo ata të Juventusit, si Ibrahimoviç, Trezege, Del Piero, Bufon etj. Janë të gjithë episode të nxjerra nga ngjarje të rëndësishme të aktivitetit që kam zhvilluar unë, ndaj mund të jenë gjëra interesante edhe për trajnerët, përveç publikut apo tifozëve juventinë në veçanti.

Xhovani Firera: Ndaj një mirupafshim Luçiano Moxhit, për t’u ritakuar në Tiranë në janar, në një kontekst të rëndësishëm, në një bashkëpunim edhe me “Top Channel”.

Nuk mund të mungojë një pyetje ndaj z. Moxhi për Juventusin, ndërrimin e trajnerëve nga Konte tek Alegri. A mendon se Alegri mund ta modelojë sipas vetes këtë skuadër dhe të arrijë rezultate të krahasueshme me ato të Kontes?

Luçiano Moxhi: Nëse bëjmë një analizë të situatës, në momentin aktual, mes Kontes dhe Alegrit, nuk ka dyshime që ky i fundit po ecën mirë. Pas javës së 11, Juventusi ka shënuar 25 gola dhe pësuar 4. Skuadra e Kontes, një sezon më parë, kishte shënuar 23 dhe pësuar 10. Ajo e Kontes ishte e dyta pas Romës me 3 pikë diferencë, ndërsa kjo e sotmja kryeson me 3 pikë ndaj Romës. Ndaj mendoj se puna e Alegrit ka qenë jo e mirë, por e shkëlqyer. Pastaj nuk duhet pasur peng për asgjë. Është trajneri i Juventusit dhe duhet respektuar për atë që është. Trajnerët mund të ikin e vijnë, por Juventusi mbetet gjithmonë, ndaj tifozët duhet t’i qëndrojnë pranë Alegrit pasi e meriton. Deri tani, ka drejtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, ndoshta edhe më mirë sesa është bërë në vitet e kaluara.