Morata zbulon: Te Reali isha kamerieri i Ksabi Alonsos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alvaro Morata shpreson që të përsërisë edhe sivjet sezonin e kaluar me Juventusin, por duke shpresuar në një fund edhe më të lumtur.
Pasi kanë marrë kryesimin në kampionat dhe kanë hipotekuar finalen e Kupës së Italisë, sulmuesi spanjoll do të kërkojë edhe një herë tjetër që të shijojë finalen e Ligës së Kampioneve, por për të qenë protagonist i sfidës "gala" që sivjet do të luhet në stadiumin e "San Siro"-s, ai dhe bardhezinjtë duhet të kalojnë gjigantët e Bundesligës, Bajernin e Mynihut.
Në radhët e rivalëve të 1/8-ave të këtij kompeticioni luan Ksavi Alonso, ish-shoku i tij te Reali i Madridit, ai që ndoshta e ka përkëdhelur më shumë se kushdo tjetër Alvaro Moratën, ndonëse ky i fundit ia ka shpërblyer duke i bërë rolin e kamerierit fantazistit të bavarezëve.
"Në periudhën që luajtëm së bashku te Reali i Madridit, Alonso ishte një nga të pakëtit që më qëndronte pranë, që kujdesej realisht për mua, ai i cili më motivonte, më ndihmonte dhe më këshillonte. Por të gjitha këto përkujdesje që kishte për mua dhe disa të rinj të tjerë në skuadër, në sallën e ngrënies, ai nuk tregohej edhe kaq xhentil.
Te Reali ekziston një rit, sipas të cilit më të rinjtë e skuadrës duhej që të bënin rolin e kamerierit për veteranët dhe unë isha kamerieri personal i Ksabi Alonsos. Dhe me një si mua në shërbim, ishte e sigurt se ai nuk do të vdiste kurrë urie".
Por tani kohët kanë ndryshuar, Alvaro nuk është më një prej premtimeve të futbollit botëror, por një kampion i afirmuar, një që premton ta eliminojë "klientin" e kohëve të Realit dhe skuadrën e tij aktuale. "Shanse për të mundur Bajernin? Do të përdorim çdo armë që kemi për të mundur Alonson dhe Bajernin. Për Juventusin, kualifikimi për në çerekfinale është një detyrim, prandaj nuk nisemi si të mundur në këtë duel", tha Morata për "SportBild".
Përgatiti: JETON STAMOLLA