Cungu: Vllaznia nuk dorëzohet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në Korçë nuk do të shkojmë për turizëm, por për t'u paraqitur sa më mirë". Kështu e ka nisur trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, deklaratën e dhënë dje për mediat, përpara nisjes së skuadrës drejt Korçës.

Trajneri bën me dije se skuadra e tij nuk ka hequr dorë nga Kupa e Shqipërisë, por do të synojë kualifikimin për në turin tjetër, edhe pse përballë ka ekipin kampion dhe luan në transfertë.
"Unë e kam theksuar që ditën që kam ardhur në krye të ekipit që më intereson qëndrimi i Vllaznisë në Superligë. Por, kjo nuk do të thotë se do të shkojmë për turizëm në Korçë. Do të shkojmë për të bërë më të mirën, pastaj të tjerat janë me radhë. Rezultati i takimit të parë na bën të mendojmë pse jo edhe një kualifikim të mundshëm", ka vazhduar trajneri në deklaratën e tij. Edhe pse më herët nga shkodranët ishte lënë të kuptohej se Kupa ishte në plan të dytë, trajneri ka hedhur poshtë të gjithë zërat për një gjë të tillë duke respektuar kompeticionin.
Rezultati
Barazimi i marrë në Shkodër është një plus për kuqeblutë, të cilët në letër në këtë ndeshje i kanë pothuajse zero shanset për të kaluar në turin tjetër.
"Nuk mund të them se mundësitë që ne të marrim një rezultat pozitiv në këtë ndeshje nuk ekzistojnë, por kjo është një gjë që do t'i mbetet fushës së blertë. Mundësia ekziston, po ashtu edhe besimi se mund ta arrijmë një gjë të tillë, edhe pse përballë do të kemi ekipin më të mirë të Sh- " qipërisë", ka thënë trajneri.
Skuadra
Për këtë ndeshje, trajneri Cungu nuk do të ketë të gatshëm disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së tij për shkaqe dëmtimesh. Megjithatë, tekniku është shprehur se do të kërkojë maksimumin nga lojtarët që ka në dispozicion.
"Do të mundohemi të menaxhojmë disi momentin edhe me disa lojtarë të tjerë, në mënyrë që skuadra të ketë freski edhe në ndeshjen e kampionatit. Lojtarët që mungojnë kanë arsye shëndetësore. Mirëpo kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga Kupa", ka mbyllur trajneri shkodran. Skënderbeu nuk e ka pasur të lehtë me Vllazninë në këtë vit, pasi ka humbur në ndeshjen e kampionatit në Shkodër dhe ka barazuar në takimin e parë të Kupës.
Përgatiti: ADMIR URUÇI