Krahasimi i Interit dhe Milanit në 7 javët e fundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zikaltrit në gjumë letargjik, prej janarit ecuri për Serinë B
Dhjetë janari i 2016- ës do të jetë datë e zezë për internistët, pasi atë ditë ekipi "zyrtarizoi" krizën, pasi i lejoi Berardit që t'i shënonte e të humbte kështu një ndeshje përballë Sasuolos në "Meazza".
Më 14 shkurt 2016 në "Franchi" goli i Babakarit rrënoi psikologjikisht ekipin, që me humbjen në Firence thuajse ka "vulosur" daljen nga Euro(pa) e rëndësishme (Kupa e Kampioneve). Me pak fjalë, brenda një muaji tek Interi ka ndodhur gjithçka. Tani në Milanon zikaltër mbretëron frika kundrejt... "Djallit".
Në krizë
Dekadenca e Interit është e qartë dhe mund të shikohet me sy të lirë, pasi ekipi ka grumbulluar 6 pikë në 7 takimet e fundit. Ecuria e Interit është e një skuadre që lufton për të evituar rënien nga kategoria. Mbrojtja është kthyer nga më e mira në një repart që fut në siklet të gjithë pjesën tjetër të ekipit.
Në pjesën e dytë të sezonit, zikaltrit ende nuk kanë bërë qoftë edhe një fitore të vetme jashtë fushës të tyre. Asgjë. Gjithçka është zhdukur. Në shtatë javët e fundit, që prej golit të "tifozit" të saj (Berardi), Interi ecën me ritmin e një ekipi të dorës së dytë.
Fundet shkatërruese
"Vetëvrasja" e Interit ka nisur prej fundeve të ndeshjeve. Atëherë kur duhet forca e karakterit, Interi ka treguar anën e saj të dobët, pasi është "tradhtuar" nga Melo (kundër Lacios shkatërroi gjithçka me penalltinë dhe kartonin e kuq), Miranda dhe Murijo (i falën Sasuolos një penallti ashtu siç i dhuruan një mundësi të artë Lazanjës që të kthehej në hero për Karpin apo Babakarit tri net më parë). Interi e fillimsezonit, e cila, edhe pse ishte e kritikuar e kishin zili shumë, nuk është më.
Nerva të dobëta
Gabimeve në fushë nëse iu shtohen edhe nervat e dobëta atëherë gjithç- ka përkeqësohet. Nervat e Mançinit kanë "infektuar" edhe lojtarët, të cilët reflektojnë gjithçka me 8 kartonët e kuq që kanë marrë në këtë kampionat. Nuk është një rastësi që shoqëria dhe trajneri evituan të dilnin përballë gazetarëve në fund të sfidës së Firences.
Darka
Për të gjithë këto probleme Tohir, Bolingbruk dhe Mançini duhet të kenë folur në darkën që konsumuan në Firence dy orë pas humbjes me Fioren. Atë natë thuhet se Tohiri ka përsëritur se ka besim të verbër te Manço dhe ka thënë se objektivi i ekipit është ende i arritshëm.
Ederi dhe porta
Kriza largohet vetëm me fitore. Këta të fundit vijnë falë golave. Për të shënuar më shumë është blerë Ederi, i cili, në katër takime, nuk ka shënuar asnjë. Në këtë mes nuk ka lidhje ambientimi, por pozicioni, pasi ka luajtur shumë larg kuadratit.
Kuqezinjtë s'kanë më frikë, përgatisin sprintin fitues
Tani gjithçka varet nga këndvështrimi që shikon një sfidë të tillë. Mund të jetë ndeshja më e vështirë për t'u luajtur pikërisht tani që më në fund krahët janë shtrirë plotësisht dhe skuadra fluturon në fushë. Ose mund të jetë momenti më i mirë për t'u përballur me një ekip që vjen pas një humbjeje të rëndë në Torino.
Dy muaj më parë askush nuk do të hezitonte për të treguar fundin e duelit NapoliMilan. Nëse Honda thotë se do të shkojnë në "San Paolo" për të marrë të paktën një pikë dhe Mihajloviç nga ana tjetër tregon se për asnjë ekip nuk është e lehtë të mposhtë Milanin, do të thotë se skuadra ka fituar besim në vetvete dhe se më në fund një ekip me traditë si Milani po arsyeton si një ekip i madh. Aktualisht, motoja në "Milanelo" më shumë sesa "fitorja të ndihmon të fitosh" është "fitorja të ndihmon që të fitosh më shumë besim në vetvete".
Forma
Milani i javëve të fundit vrapon shumë. Bën diçka të tillë edhe në pjesët e dyta. U jep një sinjal të fortë skuadrave të tjera që do të duhet të luajnë me "Djallin" për një vend në Ligën e Kampioneve.
Milani vrapon në fushë dhe të njëjtën gjë bën edhe në klasifikim. Në shtatë ndeshjet e fundit, pra që në momentin kur Interi certifikoi krizën, Milani u ka marrë 9 pikë kushërinjve, 4 Fiorentinës dhe një Romës. Nëse ribëjmë klasifikimin e Serisë A, duke marrë në konsideratë vetëm 7 takimet e fundit, Milani do të ishte i treti me 15 pikë pas Juves (21) dhe Napolit (18).
Në këtë hark kohor, Milani ka ecur me një mesatare të lartë pikësh për ndeshje. Miha e përsërit shpesh faktin se "Djalli" i tij fiton 2 pikë për ndeshje.
Që për Krishtlindje serbi thoshte se kërkonte në fushë një ekip që sakrifikonte gjithçka për fitoren dhe pikët. Në atë kohë, ai zinte fare pak me gojë fjalën Champions. Por tani gjithçka ka ndryshuar dhe e përsërit më shpesh. Nuk bën mëkat, pasi "Djalli" është në formë dhe fiton më shumë pikë sesa çdo rivale direkte për vendin në "Parajsë".
Objektivi
Duke dalë kaq hapur, Sinisha u heq luksin lojtarëve që të fshihen pas diplomacisë dhe retorikës. Tani "Djalli" zbret në fushë me më shumë personalitet dhe më pak frikë. Tani topi "djersin" më shumë, pasi lojtarët luajnë pa frikën se mund të gabojnë pasimin.
Milani në shtatë javët e fundit po ecën më mirë se Fiorentina (1.96 pikë për ndeshje), e cila mban vendin që ata lakmojnë. Dhe të mendosh se ka ende vend për përmirësim. Edhe pse rëndësi ka ruajtja e një "thesari" si Baka, pa të cilin të tilla diskurse do të ishin të kota.
Krahasimi i Interit dhe Milanit në 7 javët e fundit
Interi Statistikat Milani
34 Goditjet në kuadrat 38
47 Goditjet jashtë 37
2 Kartonë të kuq 0
7 Gola të shënuar 13
11 Gola të pësuar 5
1 Fitore 4
3 Barazime 3
3 Humbje 0
6 Pikë 15
Presidentët
Të dy, bast për Champions-in Pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve është "kali" i betejës për të dy presidentët.
Si Silvio Berluskoni dhe Erik Tohir i konsiderojnë si jetike arkëtimet nga pjesëmarrja në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Indoneziani ka premtuar blerje vetëm nëse Interi do të renditet i treti këtë sezon.
Ndërsa "Kavalieri" do këtë pozicion pasi vetëm vendi i tretëmund të justifikojë shpenzimet e bëra gjatë verës.