e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reali eviton finalen, Enrike tall galaktikët

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reali eviton finalen, Enrike tall galaktikët

Stadiumi "Santiago Bernabeu" ishte për folur si një kandidaturë e mundshme për të zhvilluar finalen e Kupës së Mbretit midis Barcelonës dhe Sevijes.

enrikePor, Florentino Perez kishte dhënë sinjale se do bënte të pamundurën që të mos lejonte rivalët e përjetshëm katalanas të ngrinin trofeun në stadiumin e tij.

Kjo u konfirmua pikërisht ditën e djeshme, kur më datë 21 maj, që do zhvillohet edhe ndeshja, në "Bernabeu" do organizohet një koncert madhështor i Brus Springstin. Për këtë arsye, finalja e Kupës duhet të mbahet në një tjetër impiant.

Trajneri Luis Enrike, i cili doli dje në konferencë shtypi para ndeshjes së prapambetur kundër Gijonit, ironizoi mbi këtë fakt:

"Për mua, nuk ka rëndësi se ku luhet finalja, por fakti që marr pjesë në të. Deri në momentin e zhvillimit, besoj se ka mjaftueshëm kohë. Meqë në 'Santiago Bernabeu' do ketë një koncert të Springstin, e vetmja gjë që do humbasin lojtarët e mi është që nuk do kenë mundësi ta ndjekin. Pjesa tjetër mund të argëtohet atë ditë dhe të shkojë për të marrë pjesë", u shpreh kreu i pankinës katalanase.

Ndeshja

Sa i përket sfidës së sotme, Enrike ka kërkuar përqendrim maksimal.

"Nuk duhet të bëjmë asnjë gabim. Vërtet që kalendari është i ngjeshur, por ne jemi mësuar që të administrojmë energjitë. Mund të ketë disa ndryshime të vogla në formacion, vetëm për të pasur një ekip sa më në formë. Gijoni nuk ka asgjë për të humbur dhe pa diskutim që do kërkojë të marrë një rezultat pozitiv", deklaroi tekniku.

Ai komentoi edhe miqësinë me trajnerin kundërshtar: "Kemi shumë vite që njihemi së bashku, që kur ishim fëmijë. Asnjëri nuk e kishte menduar që do vinte kjo ditë dhe do përballeshim si kundërshtarë. Abelardo është një mik i mirë".