e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Montolivo: Nuk frikesohemi nga Gjermania, as Spanja

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Montolivo: Nuk frikesohemi nga Gjermania, as Spanja
Mesfushori i kombëtares së Italisë, Montolivio, beson skuadra e tij mund të rezultojë fitimtare kundrejt dy të preferuarave për triumfin në turneun e kësaj vere. Të besuarit e Cesare Prandelit do të ballafaqohen këtë të enjte me rivalët e tyre të vjetër gjermanë, por 27-vjeçari, i cili do të bashkohet me Milanin këtë verë, i ardhur nga Fiorentina, ka lavdëruar shfaqjet e të tijve në “Euro 2012”, deri më tani, duke pasur parasysh sidomos skandalin “Scommessopoli”.

Ai, gjithashtu, thotë se pavarësisht se “Nationalelf” dhe “La Roja” kanë qenë dhe mbeten favoritë për fitimin e titullit në këtë Europian, formacioni i Prandelit nuk ka frikë të ndeshet dhe t’i sfidojë ato. “Ne kemi luajtur mirë në të gjitha ndeshjet tona deri më tani, në këtë turne, – u tha ai gazetarëve. – Tani do të përballemi me Gjermaninë, ndoshta ekipi më i mirë, së bashku me Spanjën, por do të jemi gati për t’i sfiduar ata. Kjo Itali nuk i frikësohet askujt. Po, ashtu, për mua, Andrea Pirlo duhet të fitojë “Topin e Artë”. Ai e meriton atë. Eshtë më i mirë i të gjithëve.”