e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mollë të kalbura e luani i shurdhër, kur flet Kavalieri

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mollë të kalbura e luani i shurdhër, kur flet Kavalieri

Gazetat e të shkuarës janë një spektakël më vete, pasi tregojnë pjesë të historisë që tashmë është harruar.

Berluskoni
Tani askush nuk mban mend se në tratativën që ktheu në "Djall" Van Bastenin ishte deciziv insistimi i Pier Silvio Berluskonit, i cili në atë kohë ishte vetëm 18 vjeç.

Apo se Milani kishte mundësi të merrte Romarion. Koleksioni i deklaratave më të bukura të bëra nga Silvio Berluskoni gjatë 30 viteve si president i Milanit nuk e pasqyrojnë siç duhet. "Kavalieri" ka talent për fjalët që zgjedh, por jo gjithmonë është "profet".

Fillimet - "Gjithmonë kam ëndërruar të shënoj gol pas harkimit të mahnitshëm të Riverës. Kur isha i vogël, nisja t'i ëndërroja golat e Nordahlit që të premteve, ndërsa nga e hëna përpiqesha t'i imitoja". (Dhjetor 1985) "Hyrja te Milani do të thotë të rinohesh". (Dhjetor 1985).

"Vëllai im Paolo shënonte një sërë golash, Konfalonieri ishte një futbollist diskret, Galiani luante shumë mirë si allë e djathtë. Unë kam arritur deri aty sa të jem trajner i një ekipi të kategorisë së tretë. Skuadra ime, Edilnord, fitonte gjithçka. Një ditë, djemtë e mi fituan 2-0 përballë të rinjve të Milanit të Zagatit...". (Dhjetor 1985).

"Të huajt? Në 1992 nuk do të ketë më diferenca mes shteteve europiane". (Shkurt 1988) "Futbolli i të ardhmes do të jetë fenomen televiziv". (Tetor 1988)

Trajnerët - "Tekniku i ri që ne do t'i besojmë gjithçka është Fabio Kapelo". (Maj 1986) "Kapelo te Reali dhe Zakeroni te Milani? Është një flluskë boshe". (Shkurt 1998; gjashtë muaj më vonë, Kapelo shkoi te Roma dhe Zakeroni te Milani)

"Zoti Lixola ishte një rrobaqepës i mirë dhe kishte një moto të këndshme për stofin e mirë: kujdes kujt rrobaqepësi ia lë në dorë...". (Mars 2000; kritika e famshme për Zakeronin)

"Do t'i dërgoj një letër: prej të hënës çdo teknik i Milanit do të jetë i detyruar që të luajë me të paktën dy sulmues në fushë. Nuk është një kërkesë, por një detyrim". (Shkurt 2004) "Alegri? Kupton tra...!". (Shkurt 2013) "Unë kam trajnerin e duhur: Berluskoni". (Maj 2014)

Personazhet

"Shenjtëri, ju admiroj pa masë, pasi ju shëtisni nëpër botë, pra në transfertë, një ide fituese, idenë e Zotit". (Vitet '80; për Gjon Palin II)

"A besoj se Anjeli do të kënaqej nëse do të ishte president i këtij Milani? Besoj se do të dëfrehesha unë më shumë po të isha president i 'FIAT'-it". (Shkurt 1988) "Anjeli më kishte këshilluar Galderisin. Avokati është një person serioz. Gjithmonë. Por kur flet për futboll, dëfrehet duke bërë shaka". (Qershor 1988).

Lojtarët - "Mendonim ende për Mateusin, Alemaon dhe Shusterin, por sjellja e Gulitit na largoi çdo dyshim". (Mars 1987)

"Formacioni? Gali, Barezi dhe Maldini në qendër, Tasoti në të djathtë dhe Masaro në të majtë. Shikoj tek Ançeloti dhe Filipo Gali lojtarët që do të markojnë dhe lëvizin shumë në mesfushë". (Maj 1987) "Van Basten? Kur mbërriti në Itali, erdhi në shtëpinë time, por unë për fat të keq nuk isha. U prit nga djali im, Dudi, 18 vjeç, i cili di gjithçka për futbollin dhe më foli me entuziazëm për atë. Aty firmosëm një parakontratë". (Maj 1987)

"Borgi ishte njeriu i duhur që të mund të transformonte 'San Siro'-n në 'Scala'-n e futbollit. (...) Por unë nuk mund t'i besoja teknikut një element që nuk dëshironte". (Qershor 1988) "Maradona? Lojtar i madh, por nuk mund të transferohet te Milani. Ka karakter të vështirë".

(Korrik 1988) "Për të mbajtur Savi- çeviçin, na u desh të bënim sforco të mëdha. Nuk mundëm që të merrnim Boksiçin dhe Romarion për një shifër relativisht modeste: 5 milionë dollarë. Këto janë provat që tregojnë se kemi vendosur një bast të madh për Saviçeviçin".

(Dhjetor 1993)"Helveg më kujtoi përrallën e luanit të shurdhër: një ditë, një burrë nisi t'i binte violinës në xhungël duke u tërhequr kështu vë- mendjen disa luanëve, të cilët ishin të mahnitur prej tij dhe iu afruan për ta dëgjuar. Më pas, vjen një tjetër luan, i afrohet burrit dhe e gllabëron". (Janar 2001) "Ronaldinjo është numri një i historisë të futbollit". (Gusht 2010)

"Baloteli? Nëse fut një mollë të kalbur në një trastë, më pas do të kalben të gjitha të tjerat. (...) El Sharaui nuk do të largohet kurrë, futem unë garant". (Janar 2013)

Milani - "Të gjitha gjërat që merrem unë janë profane, vetëm Milani është i shenjtë". (Korrik 1988) "Në botë, jemi realiteti italian më i njohur pas mafies dhe picës". (Korrik 1995) "Historia e futbollit është bërë prej tre ekipesh. Njëri është Ajaksi i Krujfit, tjetri është Milani i holandezëve dhe i fundit është Barcelona e Guardiolës". (Nëntor 2012) "Mbaj mend kohët kur babai im më merrte me vete në stadium. Unë nuk paguaja biletë, pasi isha shumë i vogël. E përsëris, Milani është çështje zemre". (Shkurt 2013)

Unë dhe... - "President, një sondazh i 'Doxa'-s zbuloi se ju keni marrë 50% të votave të publikut që beson se ju jeni presidenti më i mirë italian. Keni ndonjë ide për këtë rezultat?", "Sepse jam i bukur". "Nëse nuk do të ishit Berluskoni, kush do të donit të ishit?", "Do të më pëlqente të isha djali i Berluskonit'.

(Tetor 1988) "Ju gëzoheni dhe hidhëroheni, por në fund paratë i jap unë". (Gusht 2010) "Milani është skuadra më e titulluar në botë dhe unë jam presidenti që ka fituar më shumë trofe. Santiago Bernabeu ka fituar gjysmën e triumfeve që kam korrur unë dhe e kanë nderuar duke i vendosur emrin stadiumit". (Shkurt 2013)

"Babai im më thoshte se Milanin e kam tatuazh në zemër. Nuk kam ndër mend që të bëj asnjë transplant". (Tetor 2014)

Përgatiti: ALTIN VORPSI