Boateng:Më falënderuan kur dëmtova Balakun, Hëvedes nuk më honepste
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kevin Princ Boatengu rrezikon të bëjë më shumë bujë si autor librash se sa për kontributin që vazhdon të japë në fushë.
Mesfushori, i cili aktualisht aktivizohet te Milani, ka pranuar se pas faullit që dëmtoi rëndë Mikael Balak, në atë kohë ishte kapiteni i kombëtares gjermane, njëri prej teutonëve e kishte falënderuar. Mes të tjerash, ai nuk ka harruar që të komentojë edhe dështimin e radhës të karrierës, pasi flet për periudhën e kaluar në Gelsenkirshen.
Ngjarja
Më 15 maj të 2010, vetëm 27 ditë nga takimi i parë i Botërorit që u mbajt në Afrikën e Jugut, Çelsi i Ançelotit fitoi "FA Cup" pasi mundi minimalisht Portsmuthin. Në Gjermani kjo ndeshje tërhoqi shumë vëmendjen jo për rezultatin, por atë çfarë i ndodhi kapitenit që do të printe "pancerat" në Botëror. "Mbaj mend se gjatë ndeshjes Balaku më dha një shuplakë në fytyrë.
Arbitri Kris Foj nuk e pa dhe e gjithë Gjermania më kritikoi pas faullit që bëra. Aludonin se kisha bërë gjithçka me dashje. Këto janë idiotësi që mund t'i thonë vetëm ata që nuk kanë luajtur kurrë futboll. Në çdo ndeshje ka faulle si ai. Në ato momente askush nuk mendon për Botërorin. Atij iu desh të largohej nga fusha, ndërsa unë mora të verdhë. Për mua gjithçka mbaroi aty", shkruan Kevin Princ Boateng në autobiografinë që do të dalë në treg prej ditës së sotme.
"Në tërë këtë situatë më e bukura ishte se disa prej lojtarëve të Gjermanisë më falënderuan. E di fare mirë se nuk ishte shumë popullorë në ekip", vazhdoi 28-vjeçari. Mllef i vjetër - Po në atë libër ganezi, i cili është përjashtuar prej kohësh nga ekipet zinxhirë të Gjermanisë, pranon se ka pasur hasmëri të vjetër me Balakun.
"Isha vetëm 18 vjeç takimin e parë që e pata si rival. Ai luante me Bajernin, ndërsa unë me Hertën. Pasi më shkeli me dashje në fushë më tha: 'Pusho, kush kujton se je?'. Unë iu përgjigja: 'Po ti kush kujton se je'. 'Unë jam ylli', më tha. Ndërsa unë i thashë se edhe yjet bien", tregon vëllai i madh i Zherom Boatengut.
Dualizmi me Hëvedesin
Mes të tjerash, Kevin Princ tregon se gjatë periudhës kur luante te Shalke 04 kishte pasur marrëdhënie shumë të këqija me kapitenin e "minatorëve". "Unë dhe Hëvedes nuk duronim dot njëri-tjetrin", zbuloi 28-vjeçari, i cili vetëm pak muaj më parë u "shkarkua" nga "Blutë mbretërorë".