Berluskoni: Meritoj dhjetë me yll, dua dy finale të tjera Champions-i
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndryshe nga tridhjetë vite më parë, atëherë kur dha intervistën e parë si president i Milanit, Berluskoni nuk ka ndryshuar asgjë në zyrën e tij.
Tavolina e shkurtër katërkëndëshe dhe divanet në krah nuk kanë ndryshuar vend. Ashtu si dhe poltrona e preferuar e "Kavalierit", e cila ishte në krye të vendit. Ndryshe nga tridhjetë vite më parë kanë ndryshuar shumë gjëra përtej dritares së tij.
Në atë kohë presidenti i Italisë ishte Kraksi, ndërsa kryeministër Karraro. Ndërsa Italinë e drejtonte Bearzot. Ndryshe nga tridhjetë vite më parë ka ndryshuar shumë edhe Milani.
Në atë kohë, "Djallit" i mungonte "scudetto" prej 7 vitesh, ndërsa Liga e Kampioneve prej 17.
President, çfarë note do t'u vendosnit 30 viteve në krye të Milanit?
Nisëm gjithçka duke pretenduar notën dhjetë. Por për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet them se kemi merituar dhjetë me yll. Kanë qenë 30 vite magjike, pasi kemi fituar më shumë se të gjithë. Kemi fituar 363 milionë tifozë në botë. Dhe, mbi të gjitha, dashuria jonë për Milanin u shpagua dhe na e mbushi zemrën me gëzim.
Cila ka qenë dita më e bukur?
Kanë qenë shumë. Sigurisht e para ka qenë ajo kur mundëm Steauan e Bukureshtit 4-0 në finalen e luajtur në Barcelonë, ku fituam Kupën e parë të Kampioneve (të erës së tij). Mbaj mend spektaklin e ofruar nga "Camp Nou" që ishte i mbuluar vetëm me flamujt kuqezi. Në atë kohë trofeun nuk e fitoi vetëm skuadra, por e gjithë bota kuqezi. Të paharrueshme, edhe pse për motive të ndryshme, janë edhe dy finalet e luajtura në Athinë.
Ekziston ndonjë ditë që dëshironi ta fshini nga kujtesa?
Përmbysjen e Liverpulit në Stamboll. Dua të harroj ditën kur humbëm Ligën e Kampioneve përballë një skuadre që po e mundim 3-0 në pjesën e parë. Edhe pse them se atë ditë e kemi fshirë tashmë me dy golat e Pipos në finalen tjetër të Athinës. Në atë qytet kam kujtime të hidhura prej finales që humbëm në 1993. Atë edicion mbaj mend se jemi paraqitur në finale pasi i kishim fituar të dhjetë takimet. Por në fund na mundi Marseja 1-0. Ishte një ndeshje e mallkuar.
Çfarë do të bënit nga e para?
Sigurisht që nuk do të ndryshoja misionin që i dhashë ekipit. I kam thënë të jetë padron i fushës dhe i lojës. Të fitojë duke bindur me lojë të bukur, entuziazëm, pasion dhe ndershmëri karshi kundërshtarëve.
Cili ka qenë vendimi më i rëndësishëm që keni marrë?
Të bëhesha numri një i Milanit dhe t'i caktoja objektivin që të bëhej skuadra më fituese në botë. Një objektiv që të gjithëve u dukej i pamundur.
Tani që ka kaluar shumë kohë nga ajo ditë, a mund të na thoni se kush mori vendimin për të tërhequr ekipin në Marsejë?
Sigurisht që nuk po flasim për një veprim të paramenduar. Më vonë Galiani më shpjegoi sesi rrodhi ngjarja. Ai reagoi duke i besuar instinktit, si tifoz, pa të keqe. Mbaj mend se pranuam dënimin e rëndë të UEFA-s. Shumë gazeta të nesërmen shkruanin se cikli i Milanit ishte mbyllur. Por, në të vërtetë, sapo kishte nisur.
Miku juaj i ngushtë, Fedele Konfalonieri, gjatë një interviste për "Corriere della Sera"-n e krahasoi Galianin me Moshe Dajanin (ushtarak i njohur izraelit). A jeni dakord?
Përse të mos jem?! Kush ka qenë trajneri që ju ka bërë më shumë për vete? Saki më kujton vitet e para të mrekullueshme te Milani. Gjithashtu jam i lidhur shumë edhe me Ançelotin dhe Kapelon, të cilët i kam shumë miq.
Cilin kampion dëshironi që ta rishihni në fushë?
Do të doja që të rishihja të gjithë kampionët tanë. Nga Van Basteni, i cili u largua nga futbolli shumë shpejt, te Barezi, kapiteni ynë. Nga Saviçeviçi te Ronaldinjo, nga Maldini te Kostakurta, te Tasoti, te Donadoni dhe Masaro. Ueah, Gulit, Sheva, Kaka...nuk mund t'i përmend të gjithë. Të gjithë i kam dashur shumë, madje për disa prej tyre kam qenë vëllai i madh. Shtoj me krenari se Milani është e vetmja skuadër në botë që për dy edicione (1988 e 1989) ka pasur lojtarët e saj në tre vendet e para të "Topit të Artë".
Ju ëndërroni gjithmonë që ta shikoni Milanin në garë për titullin kampion në Serinë A dhe Ligën e Kampioneve. Si ndiheni kur shikoni ekipin e sotëm që është kaq larg pritshmërive tuaja?
Mbase nuk është aq larg sa ç'mendon ndonjëri. Unë kam qenë i impenjuar në disa fronte me detyra të vështira dhe shumë të dhimbshme. Por tani jam rikthyer në fushë. Nuk punojmë më vetëm për të tashmen. Ne po ndërtojmë një cikël të ri, një ekip me shumë talente dhe disa lojtarë të famshëm. Jam i bindur se do t'ia dalim. Në këto vite kemi luajtur në tetë finale të Ligës të Kampioneve. Brenda pesë vitesh duhet që të çojmë në dhjetë këtë shifër.
Donaruma është i riu më premtues i ekipit. Ai ndiqet prej disa skuadrash, a nuk i trembeni faktit se një ditë mund t'ju marrin?
Donaruma është vetëm njëri prej disa talenteve të mëdhenj që kemi në shoqëri. Shpresoj shumë që të qëndrojë me ne edhe për 20 vite të tjerë. Vajza juaj Barbara ka thënë se duhet të jeni të ndershëm me tifozët kur ka folur për Ligën e Europës. Ndërsa Galiani ka thënë se objektivi i Milanit është Liga e Kampioneve.
A nuk është një tregues i qartë ky i vizioneve të ndryshme të dy drejtuesve të skuadrës?
Është konfirmimi se të dy kanë për zemër të mirën e ekipit. Edhe pse për moshën që ka të shtyn të mendosh ndryshe, Barbara tregon se ka nuhatjen e një menaxhereje. Ndërsa Adriano reagon më shumë si tifoz. Të dy kanë të drejtë dhe të dy gabojnë. Tani është i dukshëm fakti që objektivi i arritjes në Ligën e Europës është i arritshëm. Dhe është po aq i dukshëm fakti se nuk kënaqemi me kaq. Në jetën time, si sipërmarrës, si burrë shteti dhe njeri i sportit, gjithmonë i kam vendosur vetes objektiva pak më të vështirë nga ato lehtësisht të arritshëm. Dhe, në fund, gjithmonë ia kam dalë.
Nëse Milani nuk do të fitonte një biletë në Kupat e Europës a do të mjaftonte triumfi në Kupën e Italisë për të shpëtuar sezonin?
Jo, nuk do të mjaftonte. Por fitimi i Kupës së Italisë do të ishte shumë i rëndësishëm. Fitorja të bën mirë gjithmonë dhe Kupa e Italisë të siguron një vend në Ligën e Europës. A është e vërtetë se përpara se të afronit Mihajloviçin hoqët dorë nga Sarri? Kur vendos për dikë atëherë automatikisht bien kandidaturat e tjera. Mes këtyre të fundit mund të jenë edhe persona që ke shumë stim, siç është edhe rasti i Sarrit.
Sedorf, Inzagi dhe Mihajloviç. A nuk janë shumë tre trajnerë në tre sezone?
Sigurisht që po. Preferoj që në tre sezone të vijnë tre finale Liga Kampionesh. Tridhjetë vite më parë, ju keni thënë se: "Futbolli është i bukur, pasi nuk mjaftojnë vetëm paratë për të bërë një ekip të madh". Për fat të keq, kjo shprehje është aktuale për Milanin e ditëve të sotme. Edhe tani mendoj ashtu si përpara 30 vitesh. Ndonëse kam treguar se jam në gjendje që të ndërtoj një ekip të madh. Sigurisht që e kam bërë këtë duke investuar shumë para. Kam shpenzuar më shumë se një miliard e dyqind milionë euro gjatë 30 viteve.
Si ndiheni tani që Milani është i gjashti, ndërkohë që përpara 30 vitesh e morët kur ishte në vendin e tretë?
Nuk mund të fitosh gjithmonë. Unë erdha te Milani atëherë kur skuadra ka qenë në periudhën e saj më të errët. Në pesë vitet e fundit, përpara se ta blija unë, Milani kishte qenë 2 herë në Serinë B. Ndërsa në tre sezonet e tjera kishte përfunduar respektivisht i 14-ti, i 6-ti dhe i 5-ti. Ndërsa sot përbën lajm fakti që Milani është i gjashti. Tifozëve u duket çudi, pasi në 30 vitet e fundit plot 20 edicione kemi mbyllur kampionatin në tre vendet e para. Në të gjithë botën flitet për Milanin. Tani kjo fjalë është sinonim i sukseseve të mëdha. Dhe dua të përsëris faktin se tani kemi 363 milionë tifozë.
Po nëse deri në fund të sezonit tratativa me Mister Bi nuk do të jetë mbyllur ende, a do të përpiqeni që t'u shisni disa aksione palëve të tjera?
Objektivi im është gjithçka që është në të mirë të Milanit. Në futbollin e ditëve të sotme kanë hyrë disa personazhe që kanë një kapital të palimituar, prandaj është shumë e vështirë që të mbahet ekipi kompetitiv. Prandaj menduam se afrimi i investitorëve të rinj të gatshëm për të investuar kapitale të rëndësishme do të ishte e nevojshme. Në këtë pikë jemi në diskutime me një biznesmen. Presim që të mbyllim gjithçka shumë shpejt.
A është e vërtetë që vajza juaj Marina ju ka thënë që t'i shisni të gjithë aksionet e Milanit?
Jo, absolutisht jo. Ajo më thotë gjithmonë që të ndjek atë që më thotë zemra. Dhe zemra ime vazhdon të rrahë fort për Milanin. Ndërsa vajza tjetër, Barbara, u impenjua shumë në projektin e stadiumit të ri.
Çfarë do të ndodhë me "San Siro"-n?
"San Siro" është historia jonë e lavdishme. Për çdo milanist, dashuria për ato shkallë, për atë fushë dhe për ato tribuna është e madhe. Gjithsesi, e ardhmja është e stadiumeve në pronësi të ekipeve. Një modë kjo që, për momentin, vetëm Juventusi e ka kthyer në realitet. Pra, ideja e Barbarës ishte e drejtë. Por, për fatin tonë të keq, na dolën disa pengesa që nuk i kishim parashikuar. Pra, do të vazhdojmë të luajmë në "San Siro". Jemi krenarë që do të luajmë në "Scala del calcio", edhe pse kjo nuk do të na pengojë që të mbajmë sytë hapur. Tifozët akuzojnë Galianin se është nostalgjik. Ata nuk i justifikojnë rikthimet e lojtarëve si Baloteli e Boateng pas rinovimit të kontratës të De Jongut dhe Meksesit. Koha ka treguar se kanë qenë zgjedhje të gabuara.
Përse gabime?
Boatengu është rikthyer me dëshirë të madhe për të luajtur. Deri më tani ka bërë mirë. Ndërkohë që Baloteli po e rimerr veten prej disa problemesh serioze fizike. Nëse do të mbledh mendjen, atëherë besoj se do të rikthehet në formë.
Çfarë dhurate do të donit për 30-vjetorin tuaj te Milani?
Të shtunën, me rastin e këtij përvjetori, dua që të drekoj me skuadrën në "Milanelo". Do të përfitoj nga rasti për t'i kërkuar Mihajloviçit që t'i fitojë të gjitha ndeshjet deri në fund.
Në fund mund të thoni se do të jeni përjetë president i Milanit apo deri kur?
Të shikojmë sesi do të shkojnë gjërat në 30 vitet e ardhshme dhe, më pas, do të vendos...
Përgatiti: ALTIN VORPSI
