e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ministri Bumçi 'urdher' Llazanit: Zbato ligjin, fillo kampionatin!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ministri Bumçi 'urdher' Llazanit: Zbato ligjin, fillo kampionatin!
Ministri i MTKRS-së ka zhvilluar një takim më sekretarin e Federatës së Basketbollit, ku i ka dhënë mbështetje për nisjen e kampionatit. Kampionati kombëtar i basketbollit duhet të nisë sa më shpejt dhe federata duhet të zbatojë të gjitha ligjet dhe vendimet që janë marrë. Ka qenë ky mesazhi që ka transmetuar dje inistri i Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, gjatë një takimi të zhvilluar me sekretarin e Federatës së Basketbollit, Korab Llazani. Takimi është zhvilluar me kërkesë të këtij të fundit, që ka informuar ministrin e Sportit për gjendjen aktuale të basketbollit shqiptar.

“Mora mbështetjen e ministrit Bumçi, të cilin pasi e informova për gjendjen, më kërkoi që të zbatohen të gjitha ligjet e sportit dhe vendimet e kryesisë. Ai dha mbështetjen e tij në zhvillimin e një kampionati konform rregullave, që vetë shteti ka vendosur,” – u shpreh dje sekretari i FSHB-së, Korab Llazani.

Një “urdhër” i ministrit Aldo Bumçi, që do të thotë nisje e kampionatit në bazë të regjistrimit të ekipeve në gjykata e kthimit të tyre në shoqata si dhe kryerjes së të gjitha procedurave të nevojshme për federimin e tyre në federatë. Që për federatën, “e përkthyer” do të thotë shlyerja e të gjitha detyrimeve financiare nga ana e skuadrave që ende nuk kanë derdhur asnjë lek në llogarinë e FSHB-së. Përjashtimi i të gjitha ekipeve që kanë mangësi në shlyerjen e detyrimeve tashmë ka ardhur si një urdhër edhe nga ministri, që kërkon zbatimin e ligjeve dhe rregullave.

Gjyqtarët  Gjatë takimit mes ministrit Bumçi dhe sekretari Llazani është folur edhe për gjendjen e vështirë financiare që po kalon FSHB-ja. Borxhi që ka kjo federatë, krijuar kryesisht nga shkurtimet e fondit grand të akorduar nga vetë MTKRS-ja, ka sjellë një hendek të madh financiar. Detyrimi më i madh i Federatës së Basketbollit është te gjyqtyarët, që nuk janë paguar për gjithë punën e kryer në sezonin e fundit e çka mund të sjellë një bojkot të tyre.

“Ne do t’i kalojmë të gjitha të ardhurat e grumbulluara nga regjistrimi i ekipeve për shlyerjen e gjyqtarëve, që kërkojnë të drejtën e tyre. Kjo shumë nuk është e mjaftueshme, ndaj do të negociojmë me gjyqtarët për shlyerjen e pjesës tjetër të detyrimeve gjatë kampionatit në vazhdim,” – tha Korab Llazani.

Së shpejti pritet që të mblidhet sërish kryesia e FSHB-së, për të vendosur strukturën e kampionatit dhe caktimin e datës së hedhjes së shortit. Kampionati mund të nisë edhe në javën e parë të nëntorit, por gjasat janë që ai të nisë më 12 nëntor, pasi të përcaktohet edhe kalendari i ndeshjeve.