e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Partizani i shtrin doren kryebashkiakut Lulzim Basha per stadiumin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani i shtrin doren kryebashkiakut Lulzim Basha per stadiumin
Administratori Gjergji Thaka sot do të dorëzojë një letër-kërkesë në Bashkinë e Tiranës, ku kërkohet të luhet në “Selman Stërmasi”. Partizani i ditëve të sotme i ngjan një fëmije, i cili ende nuk ka mësur të ecë me këmbët e veta, prandaj derisa të bëhet zot i vetes kërkohet mbështje e gjithanshme. Problem për të kuqtë, që janë pjesëmarrës në kategorinë e dytë, mbetet zhvillimi i ndeshjeve brenda. Pas një krize të stërzgjatur, te Partizani thuhet se po rilindin financat, por sërish ata nuk kanë fuqi t’i paguajnë stadiumet e kryeqytetit.

Prandaj administratori i deleguar nga Ministria e Mbrojtjes në krye të të kuqve, Gjergji Thaka, sot do t’i drejtohet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, me anë të një letre, ku kërkohet që Partizani ndeshjet brenda t’i luajë në stadiumin “Selman Stërmasi”, sigurisht, pa paguar tarifën që të hap dyert. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, Lulzim Basha është shprehur se e ka në platformën e tij rikthimin e derbit historik të kryeqytetit, Partizani-Tirana.

Momentalisht në Bashkinë e Tiranës flitet vetëm për klubin “Tirana”, ku në treg qarkullojnë shifra me miliona euro. Para disa kohësh këtë kërkesë që sot do ta depozitojë adminitratori Thaka në bashkinë e kryeqytetit u lëshua edhe nga tifozët e kuq, por asnjë reagim. Tifozeria e Partizanit i kujton kryebashkiakut Basha se edhe ata janë taksapagues të kryeqytetit, kështu që kërkojnë përkujdesin e tij edhe ndaj të kuqve.

Të kuqtë nuk kërkojnë financim me para “të thata” nga kryebashkiaku Basha, por thjesht që ai t’i hapë dyert e stadiumit “Selman Stërmasi” për ekipin e tyre. Stadiumi “Selman Stërmasi” është nën administrimin e bashkisë së kryeqytetit, prandaj, sipas të kuqve, nëse Lulzim Basha e ka ndarë vërtet mendjen për të rikthyer derbin, si nisëm e parë do të ishte strehimi i “demave të kuq” në stadiumin në fjalë.

Partizani i shtrin dorën kryebashkiakut Basha në një moment të vështirë, kur dihen financat e tyre, pasi pas janarit gjërat mund të shkojnë në sensin e duhur, sipas rregullave të ekonomisë së tregut. Pra, kjo kërkesë e Partizanit shikohet si një gur prove ndaj premtimeve të kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Gjyqi Eshtë zhvilluar dje seanca e radhës gjyqësore dhe është vendosur që më 1 nëntor të jepet vendimi përfundimtar rreth padiësë së Ministrisë së Mbrojtjes, që kërkon rikthimin e logos.