Milani bën paqe me Lacion në San Siro
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
I vetmi që feston në fund është trajneri i Lacios, Stefano Pioli, i cili mund të qëndrojë akoma i ulur në stol pas disfatës që pësoi në Europë. Sfida e "San Siro"-s midis Milanit dhe Lacios ka përfundoi 1-1, rezultat që nuk i bën punë asnjërit prej ekipeve. Kuqezinjve që nuk përfituan dot nga ndalesa e Interit dhe Fiorentinës dhe bardhekaltrit, të cilët synonin vendin e gjashtë, momentalisht "pronë" e Milanit.
Përgjigje dhe kundërpërgjigje
Ajo që spikati më shumë në pjesën e parë ishte ritmi i takimit, mirëpo të dy ekipet në minutat e para luajtën me kujdes nga frika e pë- simit të golit. "Dushi i ftohtë" goditi për të parën herë kuqezinjtë, të cilët u ndëshkuan në minutën e 9-të. Nga goditja e këndit, Bilja "peshkon" në zonë Parolon, i cili i shpëton mbulimit të mbrojtjes duke e dërguar me kokë sferën në rrjetë. Goditja ishte e rëndë për ekipin e Mihajloviçit, mirëpo "Djalli" gjeti menjëherë forcën për të reaguar. Vetëm gjashtë minuta pas avantazhit të Lacios, Luiz Adriano u tregua shumë i zoti duke mbrojtur topin në zonë dhe shërbyer Bakën, i cili me të djathtë vuri baraspeshën në fushë.
Shtylla
Ndeshja u luajt me një intensitet të lartë dhe Milani kërkoi me vendosmëri përmbysjen e rezultatit. Kuqezinjtë i shkojnë shumë pranë në fundin e pjesës së parë, teksa Bonaventura, me anë të një goditjeje dënimi e stampon topin në traversë. Lacio e bazoi më së shumti lojën tek inkursionet e Kandrevës dhe Andersonit, ndërsa Matri e kishte shumë të vështirë që të gjente hapësira përpara, i bllokuar nga Romanjoli.
Në pjesën e dytë, Lacio uli ritmin duke i dhënë më shumë prioritet mbrojtjes. Kuqezinjtë ishin më kërkues dhe i shkuan shumë pranë golit me Bakën në fillim dhe me Bonaventurën më pas, por në të dy rastet Marketi u tregua i zoti duke bllokuar goditjet e futbollistëve të Milanit. Bardhekaltrit u kundërpërgjigjen me Anderson, i cili, pasi kaloi Abaten nuk arriti dot të bënte të njëjtën gjë me Donarumën, që me një mrekulli i mohoi golin brazilianit. Portierit të Milanit iu kundërpërgjigj ai i Lacios disa minuta më vonë, teksa devijoi një goditje të Bonaventurës një metër larg portës me ndihmën e shtyllës.
Rreziku
Mihajloviç provoi të ndryshonte rrjedhën e lojës duke aktivizuar Balotelin (i vërshëllyer nga tifozët në "San Siro"), mirëpo sulmuesi italian edhe një herë tjetër nuk arriti të bënte diferencën në fushën e lojës. Në minutën e 84-t miqtë mbeten me 10 lojtarë në fushë pas kartonit të dytë të verdhë të Luliç. Me një lojtar më pak, Lacio i shkon pranë golit në fund, por pa sukses. Takimi mbyllet me vërshëllimat e tifozëve kuqezi në adresë të ekipit.
