Milan sondazh per Reinan, Liverpul josh Balotelin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teksa Milani kërkon të përforcojë mbrojtjen dhe konkretisht portën, një problem i ri duket në horizont, Liverpul ka nisë të josh Supermario Balotelin. Lajmi bëhet me dije nga “La gazzeta”, ndërsa konfirmohet edhe nga “Sportmediaset” me një skenar edhe më optimist për realizimin e transferimit. “La Gazzeta” sqaron se Inzaghi ka kërkuar një portier, pasi Abbiati është i vjetër tashmë dhe takimi rastësor mes Inzaghit dhe Reinas dy ditë më parë ka bërë që “dashuria” të lindë mes tyre. Reina është në moshë të re. Ai sezonin e shkuar luajti për Napolin, edhe pse të drejtat e pronësisë së tij i mban Liverpul. Sipas “La Gazzeta”, problemi për portierin Reina është rroga e lartë, pasi spanjolli paguhet 3.5 milionë euro në vit nga Liverpul, që nga krahu tjetër kërkon dhe një shumë të lartë për transferimin e pronësisë së lojtarit.
Gjithsesi, Liverpul për t’ua lehtësuar disi punët djajve të kuq të Italisë ka nisur të joshë Balotelin. Sulmuesi italian i kuqezinjve nuk ka ndonjë simpati të madhe për teknikun e ri, Inzaghin dhe ideja e një transferimi në Angli, vend që për më tepër ai e njeh, i ka pëlqyer lojtarit. Ajo që mbetet problemë është fakti se largimi i Balotelit do i hapte probleme të mëdha në repartin përpara Milanit, ku Inzaghi po punon për një skemë me tre sulmues dhe për këtë ka kërkuar Alessio Cercin e Torinos. Agjencia Italiane “Sport mediaset” nga krahu tjetër ka një skenar edhe më optimist për suksesin e tratativës në fjalë. Sipas saj dëshira e Balotelit për t’u transferuar në Angli është aq e madhe sa menaxheri, Mino Raiola është në ishull dhe ka nisur diskutimet me drejtuesit e të kuqve për të përcaktuar rrogën dhe detajet e tjera të kontratës së re.
“Sport mediaset” në shkrimin e saj shprehet skeptike sa i takon fjalëve të Drejtorit të Përgjithshëm të Milanit, Adriano Galliani lidhur me një largim të mundshëm të Balotelit nga kuq e zinjtë. “Jo, ai nuk do të lëvizë. Për këtë jam i sigurt 99,99%”, -ka thënë Galliani në ditët e para të grumbullimit të Milanit. Ndërsa i kontaktuar nga “Mediaset” lidhur me interesin e Liverpulit, Galliani është shprehur se në tryezën e tij nuk ka asnjë ofertë zyrtare për lojtarin, edhe pse kuq e zinjtë janë shprehur të shqetësuar pasi bomberit italian i ka rënë vlera në merkato dhe tashmë pas botërorit zhgënjyes të Balotelit vlera e kartonit të tij nuk kalon më shumë se 18-20 milionë euro. Sipas “Sport mediaset”, në rast largim të Balotelit veç Alesio Cercit (i cili kërkohet edhe nga Monako), një objektiv i vjetër i Milanit duhet të kërkojë edhe për një sulmues tjetër, për shembull Lavezzin. Në këtë pikë Milanit i lindin dy probleme. E para është dëshira e Inzaghit për tre sulmues. Gjithsesi, sipas “Sportmediaset” pavarësisht problemeve të sipërpërmendura Liverpul duket e bindur në realizimin e tratativës, pasi të kuqtë kanë nevojë urgjente për një sulmues pas largimit të Suarezit në drejtim të Barcelonës. Prandaj, në “Anfield Road” janë të sigurt se Balotelli është zgjedhja e duhur dhe valixhja me 18 apo 20 milion euro është gati, tashmë mbetet vetëm joshja e lojtarit me rrogën e duhur.