Mihajloviç rrëfehet te tifozët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E ardhmja e trajnerit të Milanit, Sinisha Mihajloviç, sa vjen dhe bëhet më e pasigurt në krye të ekipit kuqezi. 46- vjeçari serb, dje, në dalje nga qendra sportive në "Milanello", i është përgjigjur në këtë mënyrë pyetjes së një tifozi, i cili kërkonte të dinte mbi të ardhmen e ish-trajnerit të Sampdorias:
"A do të qëndroj te Milani edhe në sezonin e ardhshëm? Nuk e di". Përpara se Sinisha të jepte këtë përgjigje të ftohtë dhe diplomatike, tekniku i "Djallit" kishte takuar presidentin e Milanit, Silvio Berluskonin dhe administratorin e klubit, Adriano Galianin.
"Kavalieri" flitet se nuk e priti aspak mirë humbjen e ekipit në sfidën e fundit në kampionat kundër Sasuolos, teksa edhe një herë tjetër "shfryu" kundër Mihajloviçit. Dje, dy protagonistët në fjalë kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëbiseduar për rreth 20 minuta.
Presidenti kishte lajmëruar më herët për vizitën e tij në "Milanello" dhe është pritur nga Adriano Galiani në qendrën stërvitore. Siç flitet, tashmë prej ditësh humbja kundër Sasuolos do t'i kushtojë stolin serbit, i cili tashmë është jashtë garës për një vend në Ligën e Kampionëve.
Sipas shtypit italian, Berluskoni po mendon t'ia besojë sezonin e ardhshëm drejtimin e ekipit Kristian Brokit, trajnerit aktual të skuadrës së të rinjve të Milanit. Ish-mesfushori do të ketë si bashkëpunëtor Marçelo Lipin, i cili pritet të mbulojë rolin e drejtorit teknik.
Mirëpo, brenda shtëpisë kuqezi ka edhe nga ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim me Berluskonin për largimin e Mihajloviçit nga Milani. Bëhet fjalë për lojtarët që i kanë qëndruar pranë trajnerit në momentet më të vështira dhe shpeshherë janë pozicionuar në krah të serbit (i fundit ishte Romanjoli), duke kërkuar konfirmimin e tij. Të njëjtin mendim me grupin ndan edhe administratori kuqezi, Adriano Galiani, i cili po punon për të bindur Berluskonin që të konfirmojë Sinishën edhe në sezonin e ardhshëm.