e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mihajloviç pa bomber, sulmi një dështim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mihajloviç pa bomber, sulmi një dështim

Paraqitja zhgënjyese kundër Sasuolos ka ndezur sërish "kambanën" e alarmit në shtëpinë e Milanit. Në veçanti, është reparti i sulmit ai që shqetëson më shumë trajnerin e kuqezinjve, Sinisha Mihajloviç.milan Dëmtimi i Mbaje Niangut dhe kriza e Bakës (kolumbiani nuk shënon prej tre takimesh) kanë shtuar dozën e pesimizmit, kjo edhe për faktin se alternativat, Baloteli dhe Menez, kanë treguar se nuk janë në lartësi të situatës.

Agjërimi- Në veçanti, Mario të dielën ka humbur mundësinë e radhës për të fituar besimin e trajnerit: ky sezon duhet të ishte ai i shpërthimit për "Super-Marion", i cili nuk po rezulton pozitiv për ish-futbollistin e Liverpulit, që numëron vetëm një gol, atë të 22 shtatorit kundër Udinezes në kampionat.

Tre muajt që lojtarit iu deshën të qëndronte jashtë për shkak të dëmtimit nuk mund të përdoren më si alibi. Baloteli dhe Baka kundër Sasuolos nuk kanë arritur dot të shënojnë, sakaq kjo dyshe ka treguar se e ka të vështirë të përshtatet me njëri-tjetrin.

Ndërsa Menez, i cili shkëlqeu kundër Alesandrias në Kupë, në kampionat nuk bëri dot të njëjtën gjë, teksa ende nuk është në formën e tij më të mirë.

Krahët- Nëse "jorgani" është i shkurtër në sulm, të njëjtën gjë mund të themi edhe për mesfushën, ku Mihajloviçit i mungojnë alternativat për Hondën dhe Bonaventurën në krah, teksa Boateng, i mbërritur në janar, duket se ka humbur rrugën, të cilën Milani duhet ta gjejë që kësaj jave kundër Kievos, pasi në të kundërt edhe kualifikimi në Ligën e Europës do bëhej i vështirë.

Niang - Problemi në kavilje i Mbaje Niangut, i shkaktuar nga një aksident me makinë javën e kaluar, është më serioz nga sa ç'ishte parashikuar. Siç ka bërë të ditur klubi i Milanit me anë të një komunikate zyrtare, vizita e zhvilluar nga sulmuesi në Amsterdam ka evidentuar një dëmtim në ligamentet e kaviljes së majtë dhe futbollisti duhet që t'i nënshtrohet një operacioni, që do të bëhet të premten nga profesor Van Dijk: praktikisht sezoni i tij mund të konsiderohet i mbyllur.

Në fakt, në rastin më të mirë, Niang mund të rikuperojë në kohë për finalen e Kupës së Italisë më 21 maj. Me kampionatin që mbyllet më 15, sulmuesi do të qëndrojë në bokse për dy muajt e ardhshëm, por operacioni mund ta shtyjë akoma më shumë kohën e rikuperimit. Në rast të një shërimi të shpejtë, francezi mund të jetë në dispozicion për finalen e Kupës kundër Juventusit. Por është më shumë një ëndërr sesa një objektiv real.