Mihajloviç luan stolin kundër Juventusit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mjaft më! Në shtëpinë e Milanit durimi ka përfunduar pas humbjes së radhës në kampionat kundër Atalantës.
Administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani, e ka shprehur të gjithë pakënaqësinë e tij karshi skuadrës dhe trajnerit Sinisha Mihajloviç, mirëpo në "fushë" tani është gati të zbresë edhe presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni.
Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane "Il Corriere dello Sport", pozita e serbit në krye të ekipit është vënë edhe një herë tjetër në rrezik.
Trajner, i cili kurrë nuk ka gëzuar simpatinë e presidentit, rrezikon të shkarkohet nëse "Djalli" do humbasë edhe sfidën e ardhshme në kampionat kundër Juventusit.
Kjo lëvizje e Berluskonit mund të shërbejë si një shkundje për skuadrën në ndeshjet e mbetura të kampionatit, por mbi të gjitha në kuadër të finales së Kupës së Italisë, që është edhe objektivi i fundit që u ka mbetur kuqezinjve.
Në rast se Mihajloviç do të shkarkohet, "kavalieri" ka përzgjedhur teknikun e të rinjve të Milanit, Kristian Brokin, për të drejtuar "Djallin" deri në përfundim të kampionatit.
Nuk është mister që numri një i klubit ka një simpati të veçantë karshi ishmesfushorit. Mirëpo, janë të pakta gjasat që Broki të qëndrojë edhe në sezonin e ardhshëm. Në "pole" për të marrë "timonin" e Milanit është Eusebio Di Françesko.
Italiani ka bërë me dije se ky është viti i tij i fundit në krye të Sasuolos, pasi synon që vitin e ardhshëm të bëjë hapin e madh të karrierës dhe Milani është një mundësi konkrete. Berluskoni është i mrekulluar nga futbolli i Di Françeskos me ekipin verdhejeshil, pasi e ka pagëzuar si pasardhësin e Arigo Sakit.
Mirëpo, nuk është vetëm italiani në garë për të rrëmbyer pankinën e 7 herë kampionëve të Europës. Në ditët e fundit në shtëpinë kuqezi ka nisur të qarkullojë edhe emri i trajnerit të Fiorentinës, Paulo Souza. Ky i fundit ka "sponsor" administratorin e klubit, Adriano Galiani, i cili e vlerëson shumë punën e portugezit në drejtimin e ekipit vjollcë dhe i ka propozuar Berluskonit ta marrë parasysh si një mundësi për të drejtuar Milanin.