Napoli ka frikë, i dyfishon pagën Hysajt, ja sa përfiton tani lojtari
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Atletiko dhe Simeone insistojnë për shërbimet e Elseid Hysajt, por kjo nuk përbën më asnjë të re për opinionin sportiv. Për drejtuesit e Napolit po. Skuadra napolitane është vënë në lëvizje për sirenat e shumta që kanë rënë në lidhje me futbollistin e Kombëtares shqiptare.
Mediat italiane raportojnë për interesim të shtuar të skuadrës madrilene, trajneri i së cilës e ka pikasur mbrojtësin për ta pasur në dispozicion në sezonin e ardhshëm. Insistimi Së fundmi, "Corriere Dello Sport" raporton se Atletiko është duke shtuar përpjekjet e saj për shqiptarin çdo ditë e më shumë.
Ekipi i drejtuar nga Simeone është bindur nga ajo që Hysaj ka treguar në sezonin e tij të parë me Napolin, ku arriti që të ketë qëndrueshmëri dhe që të lërë në stol edhe kapitenin Maxho. Së fundmi, skuadra spanjolle ka rritur presionin në drejtim të skuadrës italiane, për të përfituar nga klauzola e ulët që ka ekipi italian me shqiptarin.
Në shkrimin e saj, "Corriere Dello Sport" shton edhe faktin që Hysaj pritet të jetë një nga titullarët me Shqipërinë në "Euro 2016". Rinovimi Shkrimi më tej vijon me lëvizjen që pritet të bëjnë drejtuesit e Napolit.
Duke parë lëvizjet e shpeshta të Atletikos dhe për më tepër ato që priten pas Europianit, napolitanët janë duke menduar të blindojnë mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Rinovim të kontratës dhe një pagë e dyfishuar për shqiptarin do të jetë ajo që drejtuesit e ekipit kanë menduar të ofrojnë sa më shpejt për Hysajn dhe agjentin e tij.
Nga transferimi te Napoli nga skuadra e Empolit shqiptari përfiton rreth 600 mijë euro neto në sezon për pesë vite kontratë që ka me skuadrën italiane. Hysaj ka qenë një nga lojtarët stabël në formacionin e Sarrit me paraqitjet e tij.
Ai e nisi fillimisht aventurën napolitane në të majtë të mbrojtjes dhe më pas trajneri Sarri e zhvendosi atë në të djathtë, duke sakrifikuar kapitenin Kristian Maxho. Prej shumë javësh, edhe vetë agjenti i futbollistit ka bërë deklarata të tilla në lidhje me oferta të shumta që ka në adresë të Hysajt dhe që u ka bërë disa herë thirrje drejtuesve të skuadrës napolitane të rishohin edhe një herë kontratën e shqiptarit.
Edhe pse Napoli bëri një hap fals në garën për titull me Juventusin dhe tashmë duket se është thuajse e pamundur që bardhezinjtë të gabojnë tri ndeshje, ky mund të konsiderohet një sezon i suksesshëm për Napolin që mbeti rivalja e vetme e bardhezinjve për titull dhe për faktin që sezonin e ardhshëm do të jetë sërish pjesë e Ligës së Kampionëve, pjesëmarrja në të cilin sjell të ardhura të konsiderueshme për arkat e klubit.