Mihajloviç: Pyesni Berluskonin për shkarkimin tim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mirënjohjen më të madhe për punën që bëri gjatë periudhës që drejtonte Milanin, Sinisha Mihajloviç e ka marrë si dhuratë nga ana e tifozëve kuqezi, të cilët, menjëherë sapo mësuan për vendimin e Berluskonit për të shkarkuar trajnerin, u pozicionuan në krah të serbit.
Mbështetësit e Milanit nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e klubit për t'i besuar stolin Kristian Brokit, teksa kanë premtuar protesta në adresë të Berluskonit dhe Galianit. Ndërkohë, rikthehemi tek aktualiteti.
Valerio Stafeli, gazetari i famshëm i emisionit popullor në Itali "Striscia la Notizia", i ka dhuruar ditën e djeshme "Tapirin e Artë", ish-trajnerit të kuqezinjve, Sinisha Mihajloviçit. Ky i fundit, në prononcimin e tij të shkurtër përpara kamerave, ka evituar që të polemizojë me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni. I pyetur për shkarkimin e tij, Mihajloviç tha:
"Nuk duhet të më pyesni mua pse sot nuk jam më trajneri i Milanit. Unë nuk jam njeriu më i përshtatshëm për t'i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Për më tepër informacione duhet t'i drejtoheni presidentit Silvio Berluskoni.
Përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë tifozët e Milanit, të cilët kanë qenë gjithmonë shumë të dashur me mua. Kjo do të thotë se ndoshta kanë vlerësuar aspektin njerëzor të Sinisha Mihajloviç", u përgjigj në mënyrë ironike serbi.
Replika ndaj Melisa Satës
Vetëm një ditë më parë, Melisa Sata, e fejuara e mesfushorit të Milanit, Kevin Princ Boateng, e sulmoi në këtë mënyrë trajnerin 47-vjeçar: "Me sa di unë, situata brenda klubit dhe grupit të futbollistëve nuk ka qenë aspak e qetë. Mjafton të shohësh atë që ndodhi dy javë më parë me Menezin për të kuptuar se shumë gjëra nuk shkonin, prandaj në të tilla situata është më mirë që ndryshon".
Deklaratës së bukuroshes italiane, Mihajloviç iu kundërpërgjigj në këtë mënyrë: "Unë nuk jam racist, mirëpo mendoj se femrat nuk janë të përshtatshme për të folur mbi futbollin", tha ai.