e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Broki: Nuk kam frikë të digjem, Milanin e dashuroj

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Broki: Nuk kam frikë të digjem, Milanin e dashuroj

Ndryshe nga paraardhësit e tij, Kristian Broki në konferencën e prezantimit si trajneri i ri i Milanit e kishte të gjithë "skenën" në dispozicion, pasi kësaj radhe presidenti Silvio Berluskoni nuk ishte i pranishëm gjatë bashkëbisedimit me gazetarët.

broki

"Nuk kam frikë, jam shumë i qetë, e di se çfarë mund të bëj. Me këtë nuk dua të them se Milani do të fitojë të gjitha ndeshjet deri në fund, por mund t'ju siguroj se unë dhe stafi im do të japim 100%". Me këto fjalë italiani ka debutuar përpara shtypit, duke treguar se është i përgatitur për të marrë "timonin" e skuadrës deri në përfundim të sezonit. Broki është shfaqur i qetë, teksa nuk i druhet se mund të përfundojë si paraardhësit e tij: "Nëse rrezikoj të 'digjem' si Sedorf dhe Inzagi? Kjo është një mundësi unike.

Duhet të kesh përulësinë për të kuptuar se nëse gjërat do të shkojnë mirë do të ishim të gjithë më të lumtur dhe më të gëzuar, por nëse do të shkojnë keq do të duhet të fillohet gjithçka nga e para. Unë do të kërkoj ta shfrytëzoj këtë mundësi me dëshirën dhe përulësinë e madhe që ka karakterizuar karrierën time edhe si lojtar.

Sakaq, dua të nënvizoj një fakt të rëndësishëm. E di që të gjithë më etiketojnë si i preferuari i presidentit, me të cilin kam një marrëdhënie shumë të mirë, por nuk kam bërë kurrë propagandë. Nëse Berluskonit i pëlqen mënyra e punës sime, do të thotë se ai vlerëson atë që kam bërë në drejtimin e të rinjve".

Moduli

Trajneri i Milanit foli edhe për idenë e tij të lojës:

"Gjatë eksperiencës sime si trajner kam përdorur 4-3-1-2 dhe 4-3-3. Më pëlqen të luaj me një mbrojtje me 4 lojtarë dhe një mesfushë me 3 elementë. Për sa i takon tredhëmbëshit sulmues, më ka pëlqyer gjithmonë të luajë me alternativa të ndryshme. Me ekipin e të rinjve, në pjesën e dytë të sezonit, kam luajtur me fantazist. Këto do të jenë dy skemat që do të përdor. Milani duhet të rikthehet të luajë në sulm".

Sprinti final

Të luash mundësinë për të qëndruar në stolin e Milanit në 6 ndeshje nuk është një mision i thjeshtë, mirë- po tekniku rrëfen se nuk mund ta humbiste një shans të tillë: "Është e vërtetë që kam vetëm pak kohë në dispozicion, por kurrë nuk kam menduar për kontratën. Aspekti ekonomik ka qenë gjithmonë në plan të dytë për mua. Nuk do të ndryshonte edhe nëse do kisha firmosur një akord 2-vjeçar, pasi nëse nuk do të bëja mirë, pas një kohë të caktuar do të më shkarkonin. Broki u ndal edhe tek objektivi i Milanit:

"Duhet të sigurojmë një vend në Europë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, nuk mund të mendojmë vetëm për Juventusin. Nëpërmjet ndeshjeve të kampionatit do të kërkojmë të përgatitemi për finalen e Kupës së Italisë. E përsëris, nuk mund të pritet një përmbytje e menjëhershme e situatës. Do të provojmë të japim disa sinjale ditë pas dite për të futur në mendjen e lojtarëve idetë tona".

Përgatiti: LEAR MAÇI