Çipa shfaqet sërish: Ja mashtrimet me rrogat te Butrinti
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-kryebashkiaku i Sarandës dhe aktualisht zv/ministër i Brendshëm, Stefan Çipa, ka reaguar sërish në lidhje me akuzat që hodhi disa ditë më parë në adresë të skuadrës që ka drejtuar, Butrintit, për tolerim në ndeshjen ndaj Luftëtarit.
Në një status të tij në "Facebook", Çipa shkruan: "Para dy ditësh, si sportdashës sarandjot (dhe jo si zv.ministër), bëra një reagim publik, pasi ndoqa një pjesë të ndeshjes në Gjirokastër. E bëra reagimin që ne të gjithë të marrim masat e nevojshme që ekipin ta shpëtojmë nga rënia nga kategoria. Nuk akuzova aspak ekipin e Gjirokastrës për pazare dhe për vlerat që tregoi në fushë.
E meritoi plotësisht fitoren dhe falë zemërgjerësisë së tyre nuk pësuam edhe më shumë gola. Akuzova pazarxhinjtë e Butrintit se pazaret janë edhe jashtë fushe dhe me metoda të tjera. Do t'i kërkoja ndjesë profesor Mulit (trajneri Flamur Shehu) nëse do të më nxjerrë që jo në një vit, por në 4 vite të marra së bashku të jenë shpenzuar 1 miliard lekë siç pretendon ai.
Dua të theksoj gjithashtu se të ardhurat që sigurohen tani nga biletat janë sa 1/5 e atyre që siguroheshin vitin e kaluar. Do t'i kërkoj falje profesor Mulit po qe se më thotë edhe një lojtar sarandjot që i është ulur rroga sivjet në lidhje me një vit më parë. Pagat nuk janë 300 mijë siç pretendon prof.Muli, por më të larta. Doja t'i kujtoja profesor Mulit se me sa lekë i mori lojtarët e fazës së parë (Gega, Zylyftari etj.) dhe sa minuta i ka aktivizuar lojtarët e rinj sarandjotë? Si sarandjot që është. Faleminderit për mirëkuptimin", thotë ndër të tjera Çipa në reagimin e tij.