e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Frika e tolerimeve, ja dyshimet në Grupin A

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Frika e tolerimeve, ja dyshimet në Grupin A

Skandali i trukimeve që ka përfshirë prej ditësh Grupin A në Kategorinë e Parë pritet të shpërthejë edhe në Grupin B. Sinan BardhiSkuadra dhe trajnerë ndiejnë rrezikun e aleancave në këto javë të fundit të garës dhe në këtë mënyrë tolerimin e ndeshjeve që sjell prishjen e garës. Një prej atyre që denoncon dhe shpreh bindjen se tashmë që është faza më decizive e kampionatit do të nisin aleancat, është trajneri i Mamurrasit, Sinan Bardhi. Një njohës shumë i mirë i Kategorisë së Parë ku drejton prej vitesh, ai është i vetëdijshëm se tolerimet dhe aleancat janë të pashmangshme.

Tekniku thotë se vetëm Mamurrasi dhe Besëlidhja nuk janë pjesë e aleancave në Grupin A duke lënë të kuptohet se ekipet e tjera kanë krijuar lidhjet e tyre dhe rreziku i tolerimeve është prezent në këto gjashtë javë të fundit të garës.

Bardhi

"Gjithmonë, fundi i kampionatit ka aleanca. Por ndodhin në Itali dhe Gjermani e jo më këtu te ne. Mendoj se deri tani nuk ka pasur tolerime të ndeshjeve në Grupin A, por tani në fund gjithmonë ndodhin këto.

Pikërisht në këto momente është edhe rreziku më i madh. Megjithatë, kjo e dëmton garën, pasi ekipet që kanë arritur të realizojnë objektivat, tolerojnë dhe në këtë mënyrë prishet gjithçka e drejtë. Deri tani në Grupin A mendoj se nuk është favorizuar ndonjë ekip, ndërsa në Grupin B janë dëmtuar nëpërmjet aleancave. Dhe skuadra e penalizuar më shumë është Turbina. Në atë grup, Elbasani dhe Butrinti janë duke bërë aleancat që e dëmtojnë garën", shprehet fillimisht Bardhi në prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport".

Trajneri vazhdon më tej duke shprehur frikën e tij se do të ketë tolerime gjatë javëve të fundit. Skuadra që ai drejton është një prej më të rrezikuarave për të rënë dhe synimi është mbijetesa.

"Sa më pak ndeshje të ketë, aq më shumë aleanca dhe tolerime ka. Megjithatë, në këtë situatë, mund të them me bindje se vetëm Mamurrasi dhe Besëlidhja nuk kanë aleanca. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të luftojmë fort deri në fund për të realizuar synimin që kemi, mbijetesën në Kategorinë e Parë", përfundon prononcimin e tij për gazetën trajneri i Mamurrasit, Sinan Bardhi. Akuzat për tolerime dhe trukime të ndeshjeve në kampionatin e Kategorisë së Parë janë kthyer në çështjen e ditës, në një kohë që janë përfshirë vetë aktorë të kësaj gare.

Përgatiti: AHMET ZANI