Mesi: E dija që në pjesën e dytë nuk do të rezistonin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lionel Mesi ishte heroi i mbrëmjes. Nuk është diçka e rrallë që ai të zgjidhë fatin e ndeshjes dhe të udhëheqë Barcelonën te triumfi. Por, kur e bën përballë Peter Çehut, të cilin s'e kishte ndëshkuar në asnjë prej përballjeve të mëparshme, sigurisht që merr një tjetër rëndësi.
Si ju duket rezultati?
Sigurisht që është shumë i mirë. Kemi shënuar dy herë në transfertë dhe nuk pësuam asnjë. Mendoj se e kemi më të thjeshtë kualifikimin, pasi sfidën e radhës do ta zhvillojmë në shtëpi.
Arsenali ju vuri në vështirësi të madhe pjesën e parë...
Po, është e vërtetë. Por, ne u treguam të duruar. Nuk donim që të sulmonim me të gjitha forcat. Personalisht e dija që kundërshtari nuk do të ruante të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë. E parashikoja që ata krijonin hapësira, ndaj duhet të prisnim momentin për t'i shfrytëzuar.
Pse e kishit këtë bindje?
Po zhvillonin një lojë të shkëlqyer dhe ishin thuajse perfektë në mbrojtje. Është e pamundur që të jesh për 90 minuta në të njëjtin nivel. Por, duhet të pranoj se ata patën edhe disa raste të mira për të na ndëshkuar.
Shënuat dy herë ndaj Çehut, të cilin nuk e kishit ndëshkuar asnjëherë më parë...
Portierët na studiojnë shumë, madje më tepër se sa trajnerët. Ata duan të njohin kundërshtarin që do kenë përballë dhe mundohen të parashikojnë lëvizjet e tyre. Ndaj edhe ne sulmuesit e kemi të vështirë.
Mund të ketë ndonjë surprizë në sfidën e kthimit?
Arsenali është ekip i aftë për të realizuar edhe surpriza. E ka bërë herë të tjera në të shkuarën. Por, unë besoj se do ta administrojmë me sukses avantazhin e krijuar dhe do kualifikohemi për në çerekfinale.
A ishte penalltia momenti më i rëndësishëm?
Po, pati mjaft rëndësi, sepse na ndihmoi për të shënuar golin e dytë, i cili i rriti ndjeshëm shanset tona mbi kualifikim. Pasi ne shënuam herën e parë, Arsenali u mundua të sulmojë më tepër, ndaj dhe ne përfituam nga hapësirat që patëm në dispozicion.