Dibala: Ne nuk vdesim kurrë, mund tia dalim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Paulo Dibala nuk u shfaq shumë për para portës së Manuel Nojerit. Por në të vetmin rast që Manxukiç e ftoi për të goditur portën gjermane, ai tregoi përse është një prej talenteve më premtuese të së ardhmes, duke finalizuar me qetësinë e një bomberi.
Golin e parë në Champions argjentinasi do ta mbajë mend gjatë. Akoma më të paharrueshëm do ta bëjë në rast se më 16 mars në "Allianz Arena" ai do t'i shërbejë Juventusit për të prerë biletën e artë të çerekfinales. Gjatë intervistës për mikrofonat e "Premium Sport"-it, sulmuesi 22-vjeçar vlerëson shpirtin luftarak të "Zonjës së Vjetër" dhe pas këtij rezultati beson se në Gjermani kampionët e Italisë kanë shanse reale për të marrë atë që kërkojnë.
Paulo Dibala, goli i parë në Champions bart një peshë shumë të rëndë...
Po, ishim të ndërgjegjshëm se kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë për mënyrën si e luajti Bajerni i Mynihut dhe kualitetet që ata kanë në skuadër. Por ne i detyruam që të na respektonin në shtëpinë tonë, përpara publikut torinez. Dhamë zemrën, shpirtin dhe jetën në fushë dhe në fund u shpërblyem, duke barazuar një ndeshje në kushte shumë të vështira. Kjo skuadër nuk vdes kurrë dhe e treguam këtë.
Duket sikur Juventusi u çlirua nga një barrë e rëndë pas golit të dytë të Robenit.
Po, në pjesën e parë toleruam shumë dhe u dhamë hapësira gjermanëve. Nëse bën gabime të tilla, herët a vonë ata do të shënonin. Në pjesën e dytë, pas golit të dytë, luajtëm më të qetë dhe me sa duket nga mungesa e presionit nga një rezultat i vështirë arritëm që të gjenim forcën për t'u ringritur dhe shënuam dy gola.
Por sërish kualifikimi mbetet një rezultat i vështirë...
Sigurisht. Tani duhet të shkojmë në një stadium shumë të vështirë, ku pak skuadra arrijnë që të fitojnë. Por ne e dimë se duke dhënë sërish zemrën dhe shpirtin në fushë, ashtu siç bëmë në pjesën e dytë, mund t'ia dalim. Nëse duam të provojmë të kualifikohemi, duhet të luajmë njësoj si në pjesën e dytë.