e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Menaxher italian per Alban Hoxhen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Menaxher italian per Alban Hoxhen

Portieri i Partizanit ende nuk ka një përfaqësues dhe një i tillë pritet të jetë të shtunën në “Qemal Stafa” për të negociuar me futbollistin. Portieri dhje zv.kapiteni i skuadrës së Partizanit, Alban Hoxha është një nga futbollistët më të përfolur për tu larguar gjatë merkatos së verës nga ekipit drejt një klubi evropian. Vetë, portieri ka deklaruar edhe publikisht se ka oferta, por tashmë është i përqendruar vetëm te kampionati dhe se bisedimet i’a ka lënë në dorë klubit. Sipas të gjitha gjasave destinacioni i radhës i futbollistit do të jetë në kampionatin italian ku ka pasur edhe më herët sinjale nga disa ekipe të Serie A dhe B. Ndërkohë, që në skenë ka dalë edhe emri i skuadrës së Kievos, por ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Ndërkohë, burime të sigurta pranë klubit dhe lojtarit kanë bërë me dije se Hoxha, i cili është edhe një nga portierët më të mirë në Kategorinë Superiore, ende nuk ka një menaxher që të mund ta përfaqësojë atë jashtë vendit dhe të bëjë tratativa në emër të tij.

Bisedimet – Të njëjtat burime bëjnë me dije se ditët e fundit, portieri Hoxha ka pasur tratativa me një menaxher italian, emri i të cilit për momentin nuk bëhet i ditur dhe sipas të gjitha gjasave ai do të jetë njeriu që do të negociojë me skuadrën ku do të luajë Hoxha në të ardhmen. Portieri Hoxha do të firmosë edhe kontratën e përfaqësimit me menaxherin e tij, ndërkohë që ky i fundit pritet të jetë në Tiranë në ndeshjen e së shtunës, që Partizani do të luajë ndaj Kukësit në stadiumin “Qemal Stafa”. Ai do të shohë nga afër edhe formën e portierit dhe parashikohet që t’i ofrojë atij bashkëpunimin për të ardhmen. Hoxha, 27-vjeçar në dy sezonet e fundit ka arritur të bëjë gjithë mirë në kampionatin shqiptar, duke thyer edhe rekordin e plot 1086 minuta pa pësuar gol. Gjithashtu “gardiani” i të kuqve ka arritur të marrë ftesë edhe nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, duke fituar edhe vendin e portierit të dytë. Ndërkohë, që në deklaratën e dhënë pak ditë më parë, portieri është shprehur se kërkon një tjetër sfidë në karrierën e tij, në një kampionat më të fortë.

 

2

Sezone ka Hoxha që është pjesë e skuadrës së Partizanit, duke u kthyer në një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore dhe kontingjent i ekipit Kombëtar.

 

1086

Minuta ka qëndruar “gardiani” i të kuqve pa pësuar gol, duke thyer rekordin e mbajtur nga Bujar Gogunja, i cili kishte 1034 minuta pë pësuar gol.

 

Ok

Hoxha nuk pritet të ketë asnjë problem për transferimin e tij në një tjetër klub jashtë vendit, duke qenë se kontrata e tij përfundon me mbarimin e sezonit.

 

Ko

Pas largimit të Hoxhës, që duket i pashmangshëm, drejtuesit e Partizanit do të futen në merkato për të gjetur një tjetër portier.