e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Mea Culpa' e Holandes, por Van Marvijk nuk mendon te ike

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Mea Culpa' e Holandes, por Van Marvijk nuk mendon te ike
Federata konfirmon qëndrimin e trajnerit. De Jong: U shpërbëmë
Presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, Bert van Ostven, i cili konfirmoi qëndrimin e 60-vjeçarit në pankinën e “tulipanëve”

Finalet e “Euro 2012” do të jenë makthi më i madh për kombëtaren e Holandës dhe tifozët e saj. Paraqitja e kombëtares së drejtuar nga Bert van Marvijk në Ukrainë dhe Portugali do të mbetet një njollë e zezë në historikun e portokallinjve, megjithatë “timonieri” nuk do të preket. Nëse ndokush priste vetëm zyrtarizimin e shkarkimit të tij, pas mbylljes pa asnjë pikë të fazës së grupeve të “Euro 2012”, vjen konfirmimi i të kundërtës: Marvijk do vazhdojë të jetë trajneri i Holandës. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, Bert van Ostven, i cili konfirmoi qëndrimin e 60-vjeçarit në pankinën e “tulipanëve”. “Holanda nuk e kishte përjetuar më parë një eliminim të tillë, por Marvijk meriton që të qëndrojë dhe se kontrata e tij përfundon në vitin 2016”, nënvizoi numri një i futbollit holandez. Mirëpo, i shokuar nga ajo paraqitje zhgënjyese e Holandës në turneun e kësaj vere është vetë Marvijk, i cili ka marrë të gjitha përgjegjësitë për paraqitjen e dobët të të tijve në “Euro 2012”. “Marr përsipër të gjitha përgjegjësitë, por e kam të vështirë që të flas për të ardhmen time.

Kam një kontratë me federatën deri në vitin 2016. Humbja që në ndeshjen e parë të këtyre finaleve, ndaj Danimarkës, ishte e rëndë për ne dhe na kushtëzoi të gjithë turneun, sidomos në planin psikologjik. Gjithashtu, duhet thënë se disa nga lojtarët nuk ishin në formë të mirë dhe për këtë arsye nuk mundëm të përsëritnim paraqitjen tonë në Botërorin 2010. Ata lojtarë që në Afrikën e Jugut bënin diferencën, nuk treguan të njëjtën formë edhe këtë Europian. Në futboll gjërat ndryshojnë shpejt. Mjafton të marrësh shembull Kristiano Ronaldon, i cili pas dy ndeshjeve të para u kritikua, kurse ndaj nesh u shndërrua në një hero”, nënvizoi trajneri i portokallinjve pas humbjes me luzitanët dhe eliminimit nga ky Europian. Ndërsa mesfushori Nigel de Jong ka shprehur zhgënjimin personal për largimin nga finalet e “Euro 2012” të kombëtares së tij pas humbjes 2-1 të së dielës me “Seleçao”.

Ai ka pranuar se Holanda u shpërbë pas barazimit 1-1 në gjysmën e parë të takimit të Grupit B, kundër Portugalisë. Portokallinjtë kishin nevojë për një fitore me dy gola diferencë ndaj “Seleçaos”, që të kishte shans për t’u kualifikuar për në fazat e nokautit në Europianin e kësaj vere, por përfundimisht u mund 2-1 nga luzitanët, pavarësisht një kryesimi të hershëm, falë golit të Van der Vartit. “Pasi shënuam golin e parë, për aq kohë sa ishim në fitore 1-0, unë me të vërtetë kisha ndjenjën se do të bënim edhe një gol të dytë. Megjithatë, pastaj, pasi pësuam lehtësisht golin e barazimit për 1-1, ekipi u shpërbë, – citohet De Jong nga “Algemeen Dagblad.” Humbja është padyshim pjesë e lojës, por kjo nuk duhet të ndodhë kaq lehtësisht për një finalist të Kupës së Botës. Unë jam shumë i zhgënjyer, por nuk dua të them më shumë për këtë”.

“E pamundur të ndalin Ronaldon”

Mbrojtësi i Holandës, Van der Viel, dështoi ta ndalonte yllin portugez të Realit të Madridit të dielën. Megjithatë, ai u shpreh se askush nuk mund ta kishte ndalur “CR7”. “Unë kam luajtur kundër Ronaldos tri herë më parë, kështu që nuk ishte befasi ajo që bëri kësaj here, ka thënë Van der Viel. Por, kësaj here ishte me të vërtetë e pamundur ta ndaloje atë së shënuari. Dështimi ndaj Portugalisë është i gjithi faji im”.