e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Me shane nga nena', Naxhi Shensoji e braktis Kukesin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Me shane nga nena', Naxhi Shensoji e braktis Kukesin

Trajneri i Kukësit, Naxhi Shensoji, i ka dhënë dje fund aventurës së tij te kuksianët duke u dorëhequr. Në reagimin në profilin e tij në “Facebook” ai ka shkruar: “E mora drejtimin e skuadrës së Kukësit në javën e 6-të të Superligës, e cila ka 12 skuadra. E mora në kohën kur ishte në vendin e 9-të dhe kishte grumbulluar vetëm 7 pikë dhe pas 4.5 muajve punë e ngjita atë në vendin e 3-të. Përveç kësaj, arrita që ta çoja këtë ekip edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Duke pasur parasysh që ka edhe 15 ndeshje për të luajtur dhe ka akoma shanse për të ecur përpara edhe në Kupën e Shqipërisë, për të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe, pavarësisht këmbënguljes së drejtuesve të klubit, sot (dje) kam dhënë dorëheqjen. E mora këtë vendim pas sjelljeve pasive të drejtuesve të klubit dhe veprimeve amatoreske të tyre, të cilët në bazë të synimeve që më kishin vënë nuk m’i rregulluan asnjëherë kushtet e punës. Kam punuar 2.5 vjet në Shqipëri, sezonin e kaluar kam drejtuar një skuadër shumë të vogël që quhet Bylis, të cilën e çova për herë të parë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Duke qenë një nga teknikët e paktë turq të suksesshëm jashtë vendit, besoj se i kam përfaqësuar denjësisht të gjithë trajnerët turq. Në dijeni të të gjithë shokëve të mi të çmuar në ‘Facebook’ dhe opinionit sportiv turk, respekte të gjithëve!”.


Ofendimet Më pas, i pyetur nga një tifoz se pse nuk i shkoi suksesshëm aventura te Kukësi, Shensoji u përgjigj kështu: “Jo, nuk jam dakord me ty. Shumë mirë më eci, sepse jemi në çerekfinale në Kupën e Shqipërisë, ndërsa në kampionat jemi në vendin e tretë dhe deri në fund ka edhe 15 ndeshje. Që do të thotë se jemi kandidat i parë për Kupat e Europës. Falënderoj të gjithë tifozët e sinqertë të Kukësit për mbështetje, por ishin disa banditë mes tifozëve, të cilët kanë bërë klan me disa lojtarë dhe ata më kërcënonin dhe pas ndeshjes me Bylisin me shanë shumë keq nga nëna, e cila nuk jeton më, nga gruaja dhe nga fëmijët. Unë personalisht i jap shumë rëndësi familjes dhe karakterit të saj. Lekët nuk kanë asnjë vlerë në jetën time”.

Ja përplasjet e trajnerit


Trajneri Naxhi Shensoji e ka braktisur krejt papritur pankinën e Kukësit dhe tashmë është i lirë të fluturojë drejt Turqisë. Për presidencën, ikja e tij ka qenë e papritur dhe, siç thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga klubi, Shensojit i është kërkuar të vijojë punën, por ai nuk e ka përfillur këtë kërkesë. Madje nuk është paraqitur as në analizën e zakonshme që zhvillon klubi dhe as në stërvitje. Në këto kushte, presidenti Gjici e ka pritur në zyrën e tij Shensojin për t’i kërkuar vijimin e punës, por ai ka refuzuar pa dhënë argumente. Ai erdhi si një dorë e fortë dhe pritej që bashkë me prurjet e reja në merkaton e dimrit të sillte përmbysje në lojë dhe rezultat, por në dy ndeshje ai nuk shkoi më shumë se barazimi. Madje në Kukës ndaj Bylisit u kontestua nga tifozët. Idetë për zëvendësimin e lojtarëve të huaj që nuk bëjnë dallimin me vendësit, duke larguar Popoviç, Bratiç, Dragoi e Malakarne, nuk rezultuan të suksesshme.

Klubi: Shensoji braktisi punën, do ketë penalitete

Trajneri i Kukësit, Naxhi Shenosji, vendosi të largohet dje nga ekipi që drejtonte duke dhënë dorëheqjen. Tekniku e mori vendimin pas barazimit që kuksianët regjistruan të dielën në fushën e tyre ndaj Bylisit. Në atë takim trajneri u kontestua ashpër nga tifozët vendës, të cilët lëshuan një lumë sharjesh dhe fyerjesh ndaj tij. Në një situatë të tillë, tekniku vendosi të largohet nga drejtimi i skuadrës. Në lidhje me zhvillimet e djeshme, klubi i Kukësit ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp. Deklarata “Sot (dje), më datë 10.02.2014, z.Naxhi Shensoji, trajner i parë i FK Kukësit, nuk është paraqitur në punë, duke e braktisur në mënyrë të njëanshme detyrën dhe duke shkelur kontratën e nënshkruar konform të gjithë bazës juridike me FK Kukësin. Nga ana e tij, presidenti i klubit, z.Safet Gjici, i ka kërkuar trajnerit Shensoji të vazhdojë punën dhe ta drejtojë ekipin sipas kontratës së nënshkruar. Kjo kërkesë e presidentit Gjici nuk është marrë në konsideratë nga ana e Shensojit, i cili ka refuzuar të paraqitet në punë. Theksojmë se klubi ka përmbushur të gjithë detyrimet ndaj trajnerit dhe kërkesave të tij në të gjitha drejtimet dhe kjo është shkelje e njëanshme dhe krejt e papritur e kontratës ligjore mes dy palëve dhe e rregullores së klubit. Prandaj, ndaj tij do ndiqet edhe procedura ligjore dhe penalitetet e parashikuara në kontratë dhe rregullore. Zoti Shensoji erdhi në drejtimin e klubit në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, duke marrë përsipër objektivat që ka klubi. Nisur sa më sipër klubi ka emëruar në krye të ekipit si trajner drejtorin sportiv të deritanishëm, z.Sulejman Starova”, – thuhet në deklaratën për shtyp të skuadrës kuksiane. Në dy takimet e para për këtë vit, Kukësi ka regjistruar dy barazime, duke mos shënuar asnjë gol, fillimisht ndaj Partizanit dhe të dielën kundër Bylisit.

Cungu: Shensoji prishi ekipin, ndërhyjnë njerëz pranë presidentit


Ish-trajneri i Kukësit, Armando Cungu, është pa dyshim pjesë e rëndësishme e historisë së klubit. Nën drejtimin e tij, skuadra u shpall nënkampione sezonin e kaluar dhe arriti që të kalojë tri ture në Ligën e Europës, gjë që deri verën e kaluar nuk e kishte arritur asnjë klub shqiptar. U largua nga drejtimi i ekipit në fillim të tetorit të 2013-ës, pas humbjes me Partizanin në kampionat. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, në lidhje me zhvillimet më të fundit në klubin ku ai ka bërë pjesë, Cungu jep opinionin e tij si ish.


Deklarata – “Sigurisht që nuk është gjë e mirë që të ndërrohen trajnerët e një skuadre brenda një kohe kaq të shkurtër. Kjo nuk i bën mirë skuadrës dhe klubit. Megjithatë, dua të them se te Kukësi jo çdo gjë ka shkuar mirë. Ju thatë që unë jam larguar me akuza nga kjo skuadër në atë kohë. Dhe unë po ju them se xhelozia brenda klubit për arritjen e skuadrës në Europë, bëri që të më vinin bërrylat në momentin e parë që u pa se ekipi nuk po ecte mirë. Edhe gjatë verës i kam thënë presidentit që skuadra kishte nevojë vetëm për 2-3 përforcime. Por, disa persona afër presidencës ndikojnë dhe flasin. Ata ishin gjithmonë të pranishëm në titujt kryesorë të gazetave dhe nëpër studio televizive sa herë që Kukësi ishte mirë dhe kalonte ture në Europë. Ndërsa në momentin kur ekipi ishte keq, fshiheshin dhe nuk denjonin të dilnin duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi. Një klub futbolli përbëhet vetëm nga presidenti, trajneri dhe futbollistët. Të tjerët nuk mund të ndërhyjnë në punët e brendshme.

Ju jeni gazetar dhe e keni ndjekur skuadrën, kësisoj i dini shumë mirë se si janë gjërat. Për sa i përket trajnerit që sapo u largua, drejtuesit u gënjyen nga fjalët e tij të bukura. Dhe ja ku jemi. Ai krijoi një gjendje negative në skuadër duke afruar shumë futbollistë që nuk e di se nga i sillte. Në këtë mënyrë prishi balancat në ekip, pasi la në stol lojtarë që me të vërtetë kanë cilësi dhe aktivizonte futbollistë të tjerë”, – shprehet Cungu në prononcimin e tij. Më tej, ish-trajneri i skuadrës kuksiane vazhdon duke thënë. “Mendoj se ishte e panevojshme që të afroheshin në ekip aq shumë lojtarë. Në këtë moment, më vjen keq për tifozët dhe futbollistët.

Ata janë të vetmit që bëjnë gjithçka për skuadrën duke sakrifikuar. Ndërsa presidenti është treguar shumë bujar në lidhje me financat. Ai ka shpenzuar dhe vazhdon të shpenzojë shumë, por mendoj se është e kotë që të hidhen kaq shumë para dhe të shkojnë në drejtim të paditur. Duhet një menaxhim dhe që klubi të funksionojë normalisht, ka nevojë që bashkëpunimi mes presidentit, trajnerit dhe lojtarëve të jetë sa më i mirë. Në një klub nuk ka nevojë për persona të tjerë që të flasin dhe të ndërhyjnë, siç ka ndodhur te Kukësi. Është e papranueshme një gjë e tillë. Këto prapaskena kanë ndikuar negativisht në ecurinë e ekipit”, – përfundon prononcimin e tij ish-tekniku i skuadrës kuksiane, Armando Cungu. Trajneri shkodran ka hyrë tashmë në historinë e futbollit shqiptar pasi me ekipin që drejtonte, Kukësin, arriti të kalonte tri ture në Kupat e Europës, gjë që nuk kishte ndodhur më parë me asnjë prej klubeve shqiptare.