Arratiset Shensoi! Starova ulet ne stolin e ekipit te Kukesit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Starova - Trajneri 58-vjeçar është i treti që drejton Kukësin në këtë sezon, pas Cungut dhe Shensoit
Naxhi Shensoi nuk është më trajneri i Kukësit, ndërsa vendin e tij do ta marrë Sulejman Starova. Ky është zhvillimi i papritur i ditës së hënë, kur në klubin verilindor ka ndodhur gjithçka e mundshme, duke sjellë ndryshimin e dytë sezonal në pankinën e klubit verilindor.
Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt gjatë ditës së djeshme. Shensoi pritej të shfaqej në stërvitje me ekipin, për të përgatitur sfidën e Kupës së Shqipërisë që luhet të mërkurën ndaj Bylisit. Por lojtarë kanë pritur më kot në fushë, pasi trajneri nuk po dukej. Pasi është kontaktuar në telefon nga stafi i skuadrës dhe nga drejtuesit e klubit, trajneri turko-kosovar ka konfirmuar se po largohej nga drejtimi i skuadrës, duke nxjerrë si pretekst sjelljen e tifozëve ndaj tij gjatë barazimit 0-0 ndaj Bylisit në kampionat. Tekniku nuk ka ndërruar mendje as pas kontakteve me presidentin Gjici, duke zgjedhur që të ndahet “armiqësisht” me klubin, i cili ka paralajmëruar se do të kërkojë dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës.
Në këtë situatë, drejtuesit kanë vendosur që ekipin t’ia besojnë Sulejman Starovës, i cili prej dy sezonesh kryente rolin e drejtorit teknik te ky klub. Gjithçka është sqaruar nëpërmjet një komunikate për shtyp, në të cilën klubi ka shpalosur pretendimet e veta.
“Sot, me datë 10.02.2014, z. Naxhi Shensoi, trajner i parë i FK Kukësit, nuk është paraqitur në punë duke braktisur në mënyrë të njëanshme detyrën dhe duke shkelur kontratën e nënshkruar konform gjithë bazës juridike me FK Kukësin. Nga ana e tij, presidenti i FK Kukësit, z. Safet Gjici, i ka kërkuar trajnerit Shensoi të vazhdojë punën dhe të drejtojë ekipin sipas kontratës së nënshkruar. Kjo kërkesë e presidentit Gjici, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Shensoit, i cili ka refuzuar të paraqitet në punë. Theksojmë se klubi ka përmbushur gjithë detyrimet ndaj Shensoit dhe kërkesave të tij në të gjitha drejtimet, dhe kjo është shkelje e njëanshme dhe krejt e papritur e kontratës ligjore mes dy palëve dhe e rregullores së klubit, prandaj ndaj tij do ndiqet procedura ligjore dhe penalitetet e parashikuara në kontratë dhe rregullore. Z. Shensoi erdhi në drejtimin e klubit në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar duke marrë përsipër objektivat që ka klubi. Nisur sa më sipër, klubi ka emëruar në krye të ekipit si trajner, drejtorin sportiv të deritanishëm, z. Sulejman Starova”, shkruhej në komunikatën e klubit të Kukësit.
Nënkampionët e sezonit të kaluar tashmë do t’i drejtohen FSHF-së për të kërkuar dëmshpërblim për këtë prishje të njëanshme të kontratës nga Shensoi. Sipas burimeve pranë klubit, trajneri, pak kohë më parë, ka marrë një paradhënie prej 10 mijë eurosh nga drejtuesit e klubit, të cilat nuk i ka shlyer. Pikërisht kthimi i kësaj shume, si dhe një penalitet shtesë është ajo që Kukësi do të kërkojë nga Shensoi, i cili me sa duket është nisur me shpejtësi drejt Turqisë.
Gjatë qëndrimit të tij në pankinë e Kukësit, Shensoi drejtoi skuadrën në 12 ndeshje në kampionat (5 fitore, 5 barazime, 2 humbje, golavarazhi 13-10), si dhe 4 ndeshje në Kupën e Shqipërisë, duke siguruar kualifikimin në çerekfinalet e turneut.
Reagimi
Shensoi: Aktrim amatoresk i klubit!
Trajneri i larguar ka shfryrë dufin e tij nëpërmjet një mesazhi që ka publikuar në adresën personale në Facebook. “Ne mund të merrnim pjesë në Kupat e Europës, gjë për të cilën kishte shanse shumë të larta. Pavarësisht kësaj, dhashë dorëheqjen sot për shkak të qëndrimeve të pashpirta dhe aktrimit amatoresk menaxherial të klubit”, shkruan ai në këtë mesazh në turqisht. Më pas ai ka vijuar në shqip, duke akuzuar një aleancë tifozë-lojtarë për largimin e tij. “Ishin disa banditë mes tifozëve, të cilët kanë bërë klan me disa lojtarë dhe donin largimin tim. Kulmi arriti mbas ndeshjes me Bylisin, kur më shanë shumë keq nga nëna, e cila nuk jeton më. Më shanë nga gruaja dhe fëmijët. Unë gjërave personale u jap shumë rëndësi. Nuk pranoj fyerje për familjen dhe ky është karakteri im. Për mua lekët nuk kanë asnjë vlerë në jetë para nderit të familjes”, ishte komenti i trajnerit.