e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Pse te luaje per Angline Januzaj, kur ai eshte shqiptar?!'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Pse te luaje per Angline Januzaj, kur ai eshte shqiptar?!'

Xhimi Grivs, një nga sulmuesit legjendarë anglezë, kampion bote në vitin 1966, është i bindur se Adnan Januzaj nuk duhet të lejohet të veshë fanellën e kombëtares së “Tre luanëve”.

Ish-sulmuesi, i cili në karrierën e tij ka shënuar më shumë se 400 gola, ku 44 të tillë janë realizuar në 57 ndeshje me Anglinë, është kategorikisht kundër ndryshimit të nënshtetësisë, që sipas tij po e shëmton futbollin. “Më quani prapanik, të rrjedhur apo si të doni ju, por unë kam menduar gjithmonë se sportistët dhe gratë duhet të përfaqësojnë vetëm vendin e lindjes së tyre”, – shkruan ai në një opinion të publikuar në gazetën britanike “Sunday People”.

“Nuk kam pasur asnjëherë probleme me ndonjë person që dëshiron të praktikojë sportin jashtë vendlindjes – unë vetë e bëra një gjë të tillë te Milani – por të luash për një vend sepse kushëriri yt i dytë e vizitoi një ditë, apo sepse ke jetuar aty për dy vite, për mua është krejtësisht e gabuar. E di që njerëzit do të më kujtojnë argumentin e Mo Farah (i lindur në Mozambik, 2 medalje ari në Londër 2012 duke përfaqësuar Britaninë e Madhe) dhe pranoj që ai ka çdo të drejtë të vrapojë për Britaninë.

Ai erdhi në Angli kur ishte 8 vjeç dhe kaloi vitet e tij të formimit këtu. Ai e cilëson veten britanik. Por Kevin Pietersen (lojtar kriketi) lindi dhe u rrit në Afrikën e Jugut, dhe e vetmja arsye pse ai luan për Anglinë ishte ngaqë nuk kishte vend në kombëtaren e tyre, ndërsa në tonën po. E njëjta gjë është edhe me Adnan Januzajn. Ai është belg. Në rregull… belg, kosovar dhe shqiptar. Por ajo që unë di është se ai nuk është anglez dhe nuk duhet të lejohet asnjëherë të luajë për Anglinë. Kjo është absurde! Nëse kjo situatë lejohet të vazhdojë, apo përkeqësohet, sporti ndërkombëtar ka marrë fund. Xhorxh Best ishte aq krenar të luante për Irlandën e Veriut, sa nuk e shqetësonte fakti që do të humbiste futbollin ndërkombëtar, ashtu si Rajan Gigs që është ekuivalenti i tij uellsian”, – ishte komenti i Grivs.