Martinez libero, Bajerni si Juventusi kundër Benfikës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri Pep Guardiola provoi një sistem ndryshe në ndeshjen ndaj Shtutgartit duke iu referuar taktikës italiane, konkretisht Juventusit dhe Italisë së Kontes.
Pep provoi skemë me tre mbrojtës dhe Havi Martinezin si libero. A do të jetë ky sistem një alternativë për ndeshjen ndaj Benfikës ditën e mërkurë? Kjo ishte edhe pyetja e analistëve të "Eurosport".
Martinez, garant i fitoreve
Ylli spanjoll ka luajtur 101 ndeshje me Bajernin dhe me të në fushë bavarezët kanë fituar 83% të sfidave, ndërsa pa të vetëm 76%. Havi shihet lojtar kyç dhe një nga të preferuarit e Guardiolës. "Martinez ka mentalitet fituesi dhe karakter të fortë. Ai nuk dorëzohet dhe është gati të luajë me dhimbje dhe me një këmbë", tha Guardiola.
Me 5 mbrojtës ndaj Benfikës?
Të shtunën Martinez luajti me dy këmbë, madje në një rol të pazakontë: Havi, libero. Në vijën lineare me tre mbrojtës, Martinez zuri qendrën si libero duke lënë Alabën në të majtë dhe Kimishin në të djathtë. Kësaj skeme 3-4-3 iu shtua Bernat në skajin e krahut të majtë dhe Rafinja në skajin e krahut të djathtë. Kjo formoi defensivën me 5 mbrojtës duke treguar respekt për Shtutgartin, por edhe si një eksperiment për Benfikën ku në vend të Rafinjës pritet Lahm.
Juventusi, shembull
Guardiola ka mësuar nga ndeshja e kthimit ndaj Juventusit, të cilët po merren si shembull në skemat e spanjollit për të balancuar dhe siguruar rezultatin. Si "ilaç" do të shërbejë pikërisht Martinez. Loja e tij mbrojtëse në çdo aspekt doli fituese në dyluftim me Raul Himenez dhe Zhonas. Dominanca e lojës nga krahët bëri që golat të shënoheshin dy nga krahu i majtë dhe një nga i djathti.
Guardiola përdori me efikasitet lojën dribluese nga lojtarët e krahut, si dhe me Martinezin libero u integrua një risi taktike nga mjeshtri spanjoll. Përballë një Benfike agresive pritet të ndodhë e njëjta gjë. Avantazhi i një goli do të bëjë që Benfika të mbrohet për të pritur kundërsulmin, por deri në atë moment do jetë vonë për portugezët.
Skema 3-5-2, apo 3-3-3-1 i jep avantazh Bajernit të mbrohet dhe sulmojë shumë mirë. Loja mbrojtëse me 5 lojtarë dhe superfuqia në ofensivë me 5 lojtarë të tjerë bën që Bajerni të kthehet në një superfuqi dhe pushtojë Europën në finalen e Milanos.