e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Interi dhe Manço përgatiten për revolucionin kinez

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Interi dhe Manço përgatiten për revolucionin kinez

Ideja e një "revolucioni Kinez" në shoqëri duket se ka qenë e llogaritur mirë prej Erik Tohirit. roma interPak javë pasi i dha të drejtë "Goldman Sachs"-it për t'i gjetur partner të fuqishëm aziatik në "horizont" ka dalë një tratativë që duket tashmë në një stad të avancuar.

Miratimi nga qeveria

Mediat italiane kanë zbuluar se grupi "Suning" është i interesuar për të hyrë në shoqërinë zikaltër. Madje "Gazzetta dello Sport" arrin deri aty sa të zbulojë se grupi në fjalë ka dërguar një kërkesë në qeverinë kineze, e cila nga ana e saj pritet të "bekojë" këtë operacion duke miratuar transferimit e shumave të mëdha të parave jashtë Kinës. Në lindjen e largët kjo është një praktikë e njohur, pasi asnjë sipërmarrës nuk mund të investojë paratë jashtë kufijve pa marrë në fillim lejen nga qeveria.

Shifrat

Në vendin fqinj kanë dhënë edhe shifrat e para të këtij operacioni që ka edhe disa anë të errëta. Grupi "Suning" thuhet se do të paguajë 80 milionë euro për 20% të aksioneve të Interit. Numri i aksioneve mendohet se nuk është i saktë, pasi kinezët kurrë nuk planifikojnë të tilla investime për të marrë role jovendimmarrëse. Në këtë pikë hamendësohet se Erik Tohir me kalimin e kohës do t'u shesë edhe aksione të tjera kinezëve duke u dhënë kështu mundësi që të komandojnë në klub.

Përgatitja e terrenit

Një tjetër aspekt që mbetet për t'u sqaruar është edhe ai në lidhje me të ardhmen e sinergjisë Morati-Tohir. Ndërkohë që në kuadër të këtyre ndryshimeve krerët e Interit kanë menduar që të përgatisin punonjësit e shoqërisë për "revolucionin" që pritet të marrë jetë shumë shpejt. Jo më kot sot pasdite administratori i deleguar, Majkëll Bolingbruk, do të mbajë një takim me stafin e tij. Në këtë mbledhje, "Gazzetta" ka zbuluar se Bolingbruk do të lajmërojë të gjithë se ndryshimet do të bëhen vetëm në interes të Interit.

Interi me tri koka

Edhe pse është e vështirë që të realizohet, të gjitha palët duan që gjithçka të mbyllet në fillim të qershorit. Tohir dhe Morati nuk do të nxjerrin para nga xhepat e tyre, ndërkohë që investitorët e rinj pritet që të ndikojnë menjëherë në merkato. Tohir pritet që të kthehet këtë javë në Milano dhe aty do të sqarohet me Moratin.

Pak ditë më parë ai e vuri në dijeni ortakun për ndryshimet në të ardhmen, ndërsa tani duket se biseda e tyre do të jetë mbi tema më konkrete. Gjithsesi, është shumë e vështirë që në të ardhmen Tohir dhe Morati të vazhdojnë të qëndrojnë në klub. Me ardhjen e kinezëve tri "koka" do të vononin shumë në vendimmarrjen e klubit, prandaj njëri prej tyre mund të jetë... i tepërt.

Përgatiti: ALTIN VORPSI