Markizio: Bajerni duhet të ketë frikë nga ne
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me të në fushë në këta 4 muaj të fundit, Juventusi ka humbur vetëm një ndeshje, atë kundër Sevijes në Spanjë, e cila u mohoi bardhezinjve vendin e parë në grupet e Champions-it.
Por, gjithsesi, "Princi" i formacionit torinez është i sigurt se edhe me Bajernin e Mynihut skuadra e tij ka shanse të mëdha që të kalojë, sepse tashmë Juventusi ka fituar eksperiencën e duhur që i nevojitet për të tilla nivele.
Klaudio, fitorja kundër Napolit ndoshta vlen më shumë se 3 pikë. Çfarë impakti psikologjik ju ka lënë në grup?
Të fitosh të tilla sfida të forta dhe aq më shumë në minutat e fundit tregon se ky grup është shumë i fortë, mbi të gjitha në aspektin psikologjik. Te Juventusi askush nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit, por në të njëjtën kohë e dimë se rruga drejt titullit është ende shumë e gjatë. Euforia dhe entuziazmi ka qenë i madh së fundmi, por ne dimë ta menaxhojmë edhe këtë dhe kjo është gjithashtu një "armë" e rëndësishme e jona. Me ty në fushë, Juventusi ka pësuar vetëm një humbje, atë në Champions, në Sevije.
Me sa duket, përveç cilësive të tua, ti je shndërruar edhe në një fatsjellës për skuadrën?
Sa herë që dëgjoj këtë fakt, brenda meje shqetësohem disi. Unë zbres në fushë për të vënë cilësitë e mia në shërbim të skuadrës, jo thjesht për t'i sjellë fat, ndonëse ky fakt më krenon, pavarësisht se pa pjesën tjetër të skuadrës, unë nuk jam askushi. Ne e nisëm këtë sezon mes shumë ndryshimeve dhe rritja jonë si grup ishte e lehtë, ndonëse vazhdimësia e saj dhe fitoret flasin vetë tashmë. Prandaj, them që për të fituar nevojitet një skuadër e bashkuar, jo individi.
Sezonin e kaluar, Parma, e cila praktikisht kishte zbritur në Serinë B, duke qenë se përveç rezultateve falimentuan edhe financiarisht, trajneri Donadoni diti t'i karikojë lojtarët e tij dhe ju mundi, duke ju bërë një surprizë të pakëndshme si kampion që kishit. Ndërkohë, pas Napolit, sfidë që ju dha vendin e parë, do të keni sërish përballë Donadonin, por që sivjet stërvit Bolonjën. Ju tremb fakti që edhe një herë tjetër, Donadoni mund t'ju "rrëzojë"?
Rreziku ekziston, por ne nuk mund t'ia lejojmë vetes që t'i fusim vetes të tilla ndjenja, për frikën e kam fjalën. Ne mendojmë për ndeshjen e radhës dhe për të fituar kampionatin, ndonëse duke parë që përpara kemi edhe Bajernin e Mynihut, e pranoj se presioni i sfidës së Champions-it mund të ndikojë disi te ne. Prandaj, kundër Bolonjës do të jemi dy herë më të përqendruar, edhe sesa në ndeshjen me Napolin.
Ndalemi te Bajerni, i cili duket se po has disa probleme në këto momente. Jo vetëm dëmtime, por edhe disa çështje brenda klubit po nervozojnë disi gjermanët.Mendoni se kjo mund t'ju ndihmojë?
Le ta nisim nga fakti se përveç Bajernit, edhe ne kemi pësuar disa dëmtime së fundmi, edhe pse ndoshta ata kanë ndonjë më shumë. Por për sa i përket faktit se Bajerni është i shpërqendruar apo i përçarë, kjo është një idiotësi. Po flasim për një trajner si Guardiola dhe lojtarë magjikë si Vidal, Levandovski, Myler e shumë të tjerë, prandaj t'i fusim vetes në kokë çështje që nuk ekzistojnë. Përballë do të kemi profesionistë , një prej 3 klubeve më të forta të globit, por, nga ana tjetër, edhe ne jemi të fortë. Në Mynih e dinë mirë se duhet të kenë frikë nga ne. Pas disa vitesh të vështira, tashmë edhe Juventusi ka fituar eksperiencën e duhur që të synojë Champions-in, prandaj do të jetë një duel i bukur dhe ne do të jemi gati.
Përgatiti: JETON STAMOLLA
