Manaj e Prenga: Dominuam me lojë, grupi funksionoi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nëse sheh listën e Kombëtares U-21, pa dyshim që emrat e lojtarëve janë cilësorë dhe aq më shumë skuadrat në të cilat ata janë pjesë.
Këtë gjë ata e vërtetuan në fushën e lojës me vepra, duke hedhur poshtë edhe çdo kritikë që erdhi pas barazimit me Greqinë. Të entuziazmuar, por mbi të gjitha me këmbë në tokë, dy autorët e golave tregojnë rreth takimit dhe për të ardhmen e Shpresave në këto kualifikuese për Europianin e 21-vjeçarëve që do të zhvillohet në Poloni.
"Nuk është se më gëzon më shumë goli, sesa fitorja, pasi një lojtar mund ta gjejë rrugën e rrjetës, mirëpo në rast se ekipi nuk fiton, s'ka asnjë vlerë", shprehet fillimisht Manaj për mediat pas ndeshjes. Sulmuesi i Interit thotë se kuqezinjtë kanë arritur të dominojnë, jo vetëm me rezultatin përfundimtar të takimit.
"Jam shumë i kënaqur që e fituam këtë ndeshje, pasi ishte shumë e vështirë që të kthenim rezultatin. Sa i përket lojës, mund të them që të gjithë volumin dhe ndeshjen e kemi bërë ne, por ata na shënuan një gol me shumë fat", vijon sulmuesi. Manaj është i qartë në dëshirat e tij, po aq sa edhe realist në atë që synon si objektiv final për këtë skuadër. Duke qenë edhe një prej lojtarëve që aspiron të jetë në Europian me Kombëtaren A në Francë, Manaj synon të njëjtën arritje edhe për ekipin Shpresa.
"Normalisht që çdo fitore të entuziazmon dhe të gëzon, mirëpo duhet të punojmë akoma edhe më shumë", deklaron Rei Manaj. Si çdo gol, sidomos kur ai është me fanellën e kombëtares, ka një dedikim nga autorët dhe 19-vjeçari i zikaltërve në Serinë A italiane.
"Golin ia dedikoj familjes sime në radhë të parë dhe të gjithë tifozëve që ishin të pranishëm në stadium dhe na përkrahën", deklaroi për mediat sulmuesi i Interit pas ndeshjes në "Elbasan Arena".
Mbrojtësi Autori i golit të fitores, Herdi Prenga, është ndalur më së shumti te funksionimi i skuadrës në këtë takim, në intervistën e dhënë për "TV Klan".
"Është një fitore që u shkon të gjithë shqiptarëve sepse na ndihmuan shumë, sidomos ata në stadium me mbështetjen dhe përkrahjen e tyre, ndaj nuk ka se si të mos ua dedikoj atyre këtë arritje", shprehet fillimisht mbrojtësi. Ai ka bërë paraqitje pozitive, edhe sikur të mos kishte qenë autori i golit në atë ndeshje, për të cilin ka edhe një dedikim: "Jam shumë i gëzuar për golin që realizova, duke e ndihmuar ekipin që të mund të merrte një rezultat pozitiv". Më tej, mbrojtësi flet për filozofinë e skuadrës dhe faktin që në këtë takim Shqipëria ka funksionuar si grup dhe ku secili prej individëve është vënë në funksion të tij.
"Ishte një ndeshje ku ne luajtëm të gjithë bashkë si ekip. Mendimi ynë ishte që të futeshim vetëm për të fituar dhe për asnjë rezultat tjetër. Goli i dedikohet fillimisht familjes dhe babait, por ama edhe të gjithë bashkëlojtarëve të mi dhe stafit të ekipit", shprehet Prenga.