Cikalleshi: Kam qenë i pafat, tashmë nuk ndalem së shënuari
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ishte një ndeshje e vështirë, jo vetëm për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion që kishte bërë De Biazi, por edhe për shkak të mbrojtjes me shumë forca të Luksemburgut, si dhe vetë terrenit. Këtë gjë e pohon edhe vetë autori i golit, Sokol Cikalleshi.
Në prononcimin e tij për "Panorama Sport" sulmuesi deklaron.
"Ishte një ndeshje e vështirë, pasi të tilla janë të gjitha takimet. Futbolli i sotëm këtë gjë e tregon gjithmonë e më shumë. Luksemburgu u mbrojt shumë, mirëpo ne provuam ta sulmonim me shumë forca. Gjithashtu u pa qartë që edhe terreni ishte shumë i vështirë dhe nuk na ndihmoi aspak në këtë takim. Përkundrazi, na vështirësoi akoma edhe më shumë realizimin e qëllimit tonë.
Fatmirësisht ia dolëm që të fitonim, pasi në fund kjo është e rëndësishme. Kam qenë i pafat me Kombëtaren, por tashmë uroj dhe shpresoj që nuk do ndalem së shënuari. Gjithmonë e kam ndihmuar Kombëtaren duke dhënë maksimumin, por tashmë dua që ta ndihmoj edhe duke shënuar sa më shumë gola", ka deklaruar Sokol Cikalleshi për "Panorama Sport" pas ndeshjes, që tashmë është në kuotën e dy golave me kuqezinjtë dhe duket se e ka lënë pas krahëve tersin e shtyllave.