Laçi me staf të ri, por me formacion të njëjtë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skuadra laçiane, pas plotësimit të stafit teknik, po përgatitet me intensitet të lartë, ku fillimisht po punojnë për ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Partizanit dhe më pas për takimin e parë të gjysmëfinales së Kupës ndaj Skënderbeut.
Gjithsesi, për momentin gjithë vëmendja është e fokusuar te përballja me të kuqtë e kryeqytetit.
Dje, skuadra ka kryer dy seanca stërvitore, të cilat janë zhvilluar në Kamëz. Paradite grupi u përqendrua kryesisht tek ushtrimet me karakter fizik. Kjo seancë më së shumti i shërbeu stafit teknik për të parë nga afër situatën e futbollistëve të caktuar, pasi disa prej tyre vinin nga dëmtimet e së shkuarës.
Rezultatet kanë qenë të kënaqshme, madje edhe Zefi që sapo është rikuperuar ndihet gati. Stafi i ri teknik, që do të debutojë ndaj Partizanit, ka nisur të mendojë rreth formacionit që do të hedhë në fushë të shtunën ndaj kryeqytetasve. Nuk pritet asnjë ndryshim për sa i përket repartit difensiv, kështu që Ademir, Sheta, Buljan dhe Çela mendohet të jenë në fushë nga minuta e parë. Dilemat më të shumta shihen në mesfushë.
Gjithsesi, deri të shtunën, kur Laçi do të presë në shtëpi të kuqtë, ka ende kohë për të vendosur. Në seancën e pasdites, dyshja e trajnerëve Zeka-Bankini i ka vendosur futbollistët në veprime tekniko-taktike dhe në fund u krye një ndeshje kontrolli brenda grupit. Nga ajo që u pa dje nuk priten ndryshime të mëdha ndaj Partizanit, gjithsesi në disa momente trajneri Zeka i alternoi shpesh disa nga futbollistët.
Përgatiti: Isuf Myrtaj