Maluda:Fitorja ndaj Rumanisë është një detyrim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
“E dimë shumë mirë rëndësinë e ndeshjes së para, sidomos kur jemi të vetëdijshëm që dy kundërshtarët e tjerë do t’i kemi më pas - tha Florent Maluda përpara nisjes së tij drejt Zvicrës. - Kjo mund të përcaktojë vazhdimësinë në këtë kompeticion, ndaj nuk duhet ta nënvlerësojmë ekipin rumun”, shtoi sulmuesi i Çelsit, Maluda. Ndërkohë, që për Sidni Govu, ndeshja me Rumaninë është më e thjeshta për “gjelat”. “Por gjithsesi, nuk duhet ta shohim si të tillë, pasi ekipi i drejtuar nga Piturka ka arritur të kryesojë grupin në ndeshjet kualifikuese, duke lënë në vend të dytë Holandën. Ndaj mendoj se do të jetë paksa e komplikuar puna me atë skuadër”, u shpreh Govu. Edhe pse deklaron se nuk njeh shumë futbollistë kundërshtarë, Maluda thotë se kjo nuk ka asnjë domethënie, pasi edhe katër vjet më parë askush nuk i njihte lojtarët e Greqisë që u shpallën kampionë. Maluda mban mend se ka luajtur kundër Steaua së Bukureshtit me Lionin dhe ka hasur disa vështirësi në atë përballje, pasi kanë pasur një organizim shumë të rreptë në fushën e lojës.