Magani: Në sulm kundër Vllaznisë, nuk dua gabime si në Vlorë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gugash Magani pret kthesën në Shkodër. Trajneri e ka të qartë se përballë do të ketë një kundërshtar cinik, ndaj paralajmëron një ekip totalisht sulmues ndaj Vllaznisë.
Gjatë një bisede me "Panorama Sport", trajneri evidenton gabimet me Flamurtarin dhe kërkon që të mos përsëriten.
"Jemi duke u përgatitur me ritme të larta dhe fatmirësisht e kam ekipin e plotë para Vllazninë. Është një sfidë delikatë si për ne, ashtu edhe për shkodranët, për vetë objektivat që kemi.
Ndaj këtë 90-minutësh do të luajmë gjithçka për gjithçka. E them këtë, pasi pres një ekip që sulmon dhe mbron bashkë. Kur topin e kemi ne, pres që edhe portieri të bëhet sulmues dhe kur jemi në situatë të vështirë në prapavijë, duhet që veç mbrojtësve të kontribuojnë edhe lojtarët që luajnë në ofensivë. Nuk dua të përsëriten gabimet që bëmë ndaj Flamurtarit.
E thashë edhe pas asaj transferte, që nuk jam i kënaqur me disa elementë, por dështimi apo suksesi vjen nga grupi, ndaj nuk mund të dalim në emra të veçantë. Ne provuam në fund ta fitonim atë takim dhe rrezikuam, por ligji i pashkruar i futbollit për pak sa u vendos në zbatim. Por, për fatin tonë të mirë, lojtari i Flamurtarit gaboi.
Nuk kishim kohë që të bënim analizë të imtësishme, pasi ndeshja me Vllazninë ishte afër dhe është fundi i kampionatit. Kur kanë mbetur edhe 8 javë për t'u luajtur, të gjitha sfidat duhen trajtuar si finale. Kundërshtari është kthyer në një ekip cinik dhe në fushën e vet i ka pothuajse të gjitha ndeshjet me pikë të plota. Por, ne shkojmë në Shkodër për të bërë lojën tonë.
E thashë që do të luajmë gjithçka për gjithçka. Po e them që tani që moduli i lojës nuk ndryshon, përtej rikthimit të titullarëve, si Hila dhe Lukiç. Do të ndërtojmë formacion sulmues. Për ne e rëndësishme është që në çdo ndeshje të futemi për tri pikë. Nuk merremi me emrat e rivalëve, apo pozitat e tyre në renditje. Jo. Ne çdo ndeshje duhet ta shikojmë si të barabartë, pasi vetëm kështu merret maksimumi", është shprehur fillimisht trajneri.
Për Xhonatan
Pakënaqësitë e ndërrimit që shprehu Xhonatan pas ndeshjes, Magani i cilësoi emocionale. Ai e tha hapur se e di ai se kur merren vendimet për zëvendësime.
"Nuk ia vlen të merresh me një deklaratë që s'ka shumë rëndësi. Mendoj se është emocionale. Jam unë ai që e shikoj më së miri se kush duhet zëvendësuar dhe se si po luan, ashtu siç jam unë që mbaj përgjegjësinë kryesore për ecurinë e ekipit", qartësoi trajneri në mbyllje. Jeton Rexhmati