Magani: Më vjen keq që zhgënjyem tifozët, nuk patëm as fat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajnerit Gugash Magani i kabetur peng që dje Teuta e tij zhgënjeu tifozët që si rrallëherë i mbështetën fuqishëm në stadium. Sipas trajnerit, Teuta u mundua që të përballonte kundërshtarin, por fati nuk ishte me durrsakët.
"Pas ndeshjes, çdokush mund ta shprehë gjykimin e tij se çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë keq. Mendoj se e kishim përgatitur mirë ndeshjen, ishim më të mobilizuar.
Ajo çfarë kisha më shumë frikë ishte mbajtja e presionit nga skuadra jonë, sepse luanim një ndeshje delikate ndaj një kundërshtari të fortë. Si rrallëherë, sot (dje) na kishin ardhur shumë tifozë në stadium dhe më vjen keq që i zhgënjyem, por për asnjë rast nuk dorëzohemi.
Në kuadrin e 90 minutave gabuam në çastin e golit të parë dhe loja është edhe pak fat. Pas zëvendësimit të tretë, na u dëmtua Bruno Dita dhe 15 minutat e fundit i luajtëm me një lojtar më pak.
Dita është një lojtar i rëndësishme dhe me një lojtar më pak ishte thuajse pamundur që të barazonim. Megjithatë, ne guxuam në këtë takim dhe ka momenti që nga guximi gjërat marrin për mirë, por ka edhe momente që rrjedha merr për keq.
Vendi i tretë? Ne duhet të shikojmë punën tonë dhe jo ecurinë e kundërshtarëve. Dua të them se kjo ndeshje nuk ishte vendimtare, pasi janë edhe shumë takime për t'u luajtur.
E rëndësishme është që të marrim veten pas kësaj humbjeje, pasi u mundëm nga një kundërshtar që e meritoi fitoren, por në momente të veçanta mund të shënonim ne të parët. Kështu e ka futbolli", u shpreh trajneri i Teutës pas takimit.