Magani: Këshilla nga një bomber, goli në Shkodër për Daniel Xhafajn
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta e Maganit është lënë pushim një ditë nga stafi pas fitores së arritur në Shkodër kundër Vllaznisë.
Takim që, sipas sulmuesit të durrsakëve Artur Magani, u fitua me meritë. Sipas tij, miqtë zhvilluan një ndeshje të bukur, por mbi të gjitha treguan karakter. Për peqinasin e sulmit të Teutës, arritja e objektivit që është pjesëmarrja në Kupat e Europës, është në dorën e vet Teutës, e cila duhet që t'i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura si finale.
"Mendoj se është një fitore që na shërben shumë. Gjithashtu është një sukses i rëndësishëm, edhe për faktin se u arrit ndaj një ekipi që luajti mirë ndaj nesh. Për fat nuk pësuam gol dhe kjo na dha më shumë lirshmëri te veprimet tona si sulmuese, ashtu dhe ato mbrojtëse. Patëm meritë për të administruar rezultatin pas golit të parë dhe kjo qetësi bëri që të shënonim dhe të dytin, atë të sigurisë. Ishte një ndeshje për të cilën kishim punuar gjatë të gjithë javës, në mënyrë që të merrnim rezultat pozitiv dhe këtë e arritëm.
Sa i përket golit, di të them që është i rëndësishëm për çdo futbollist, aq më tepër për sulmuesin që e çliron dhe e motivon për të dhënë më të mirën e tij. Për mua ka rëndësi ecuria e skuadrës, si dhe arritja e objektivit tonë final që është sigurimi i një vendi për të luajtur në Kupat e Europës.
Për mua nuk bën ndryshim nëse shënon Moçka apo Rizvani nga porta, apo nëse shënon im atë nga stoli. E rëndësishme është që Teuta të marrë tri pikë kudo ku luan dhe të bindë me lojë e rezultat. Unë flas dhe marr këshilla të vazhdueshme nga një ish-bomber i Teutës që është Daniel Xhafa. Vlonjati më këshillon para çdo ndeshjeje dhe golin e shënuar në Shkodër ia dedikoj pikërisht atij. Deri tani kemi treguar që luajmë si një skuadër dhe të njëjtën gjë do të tregojmë edhe në ndeshjet e mbetura të kësaj faze të fundit.
Teuta është skuadër ku lideri i saj është grupi, i cili ka treguar se di të ruajë qetësinë dhe përqendrimin pavarësisht kundërshtarit që ka përballë. Falë tij, skuadra jonë është në këto pozita dhe pretendon që të jetë pjesë e Europës. Mundësitë i kemi dhe tashmë na duhet të administrojmë mirë çdo ndeshje dhe të luajmë në secilën që ka mbetur si të ishte finalja jonë.
Vetëm në këtë mënyrë mund të triumfojmë dhe të marrim më të mirën nga çdo takim që luajmë. Tani nuk ka më kohë për të humbur dhe apo ndeshje për të tejkaluar. Është fundi dhe duhet ta mbyllim me sukses këtë sezon, në mënyrë që puna e bërë deri më tani të mos na shkojë dëm. Duhet të djersitim shumë deri në mbyllje të kampionatit", ka deklaruar bomberi i durrsakëve, Artur Magani.
Përgatiti: Jeton Rexhmati
