Kukësi-Skënderbeu/ Prindërit formojnë një formacion në tribunë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fitorja ndaj Skënderbeut pritet që të mbushë edhe xhepat e lojtarëve të Kukësit. Burime pranë klubit kanë bërë me dije se presidenti Gjici ka premtuar rreth 20 milionë lekë premio për triumfin.
Por, i ftuar në TVSH, vetë Gjici e ka mohuar një gjë të tillë dhe me batutë është shprehur: "Lojtarëve të mi nuk duhet t'ua përmendësh premion, pasi më duket se nuk i çojnë të gjitha lekët në shtëpi".
Takimi - Presidenti Gjici e mbajti premtimin që u bëri tifozëve të Partizanit dhe i dha "dru" Skënderbeut në fushën e lojës. Por, ndryshe nga fusha, jashtë saj gjërat ishin ndryshe. Me të mbërritur në ambientet e stadiumit, presidenti Takaj, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, kaloi pak kohë në zyrën e Gjicit.
Me të nisur ndeshja, të dy presidentët u ulën në vendet VIP të rezervuara për ta. Gjici gjatë gjithë takimit nuk ka dhënë asnjë shenjë emocioni, por në fund ka shfaqur kënaqësi. Ndërsa Takaj është larguar nga stadiumi, pasi ndeshja mbaroi.
Trajnerët - Para se të niste ndeshja, futbollistët e secilës skuadër kanë biseduar dhe kanë qenë shumë entuziastë. Ndërkohë që lojtarët e dy ekipeve para se të dilnin në fushë kanë thërritur në kor emrin e skuadrës së tyre.
Gjatë ndeshjes, trajneri Josa është ndier jo mirë dhe i nervozuar shumë, pasi të besuarit e tij nuk iu bindën detyrave që ai i kishte dhënë dhe vazhdonte t'ju jepte vazhdimisht gjatë sfidës. Ndërsa Duro, nga ana tjetër, është parë më i qetë dhe në dhomat e zhveshjes në pushimin e takimit mësohet se u ka dhënë më shumë kurajë lojtarëve për të vazhduar lojën si në 45-minutëshin e parë.
Moti - Takimi mes kuksianëve dhe korçarëve filloi me diell dhe përfundoi me shi. Kushtet klimaterike ishin perfekte, me temperaturë rreth 17 gradë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për minutat e fundit të takimit, ku ka nisur një shi i rrëmbyeshëm me erë. Megjithatë tifozët nuk janë larguar nga stadiumi.
Të afërmit - Në shkallët e stadiumit ka pasur disa tifozë specialë për të ndjekur futbollistët sidomos ata të Kukësit. Ishin mbi 10 prindër të lojtarëve të Kukësit, babai i kapitenit Malota, i Musollit, i Imamit, por edhe i sulmuesit Emini që kishte ardhur nga Tetova etj.